Alket Hatija, shqiptari që ndryshe njihej në Itali edhe si një ndër baronët më të mëdhenj të drogës, është arrestuar.
Mësohet se 44-vjeçari është arrestuar nga policia shqiptare pas të dhënave të karabinierëve të Milanos, që e kërkonin në kuadër të një dënimi në mungesë me 20 vjet burg.
Mediat italiane shkruajnë se Hatija është arrestuar në Durrës, ndërsa po shkonte të takonte një mikun e tij.
Siç duket kjo dalje e tij pas shumë kohësh, ka bërë që ai të pikasej nga policia. Mësohet se “baroni” jetonte i fshehur në një vilë i izoluar sikur të ishte në një bunker në Berat dhe rrethohej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura.
“Ansa.it” shkruan se Hatija akuzohet për transportimin në Milano, në periudhën 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë. Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro. Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Sipas hetimeve të policisë italiane, Hatija ishte një trafikant “i pastër”, në kuptimin që nuk prekte një gramë drogë me dorë.
Mirëpo ai e realizonte transportin përmes urdhrave që jepte përmes telefonëve celularë njëpërdorimësh. (D.D/Shuplaka)