Policia italiane ka arrestuar një çift shqiptarësh pasi këta e kishin kthyer shtëpinë e tyre në një laborator droge.
Ata u ndaluan gjatë momentit kur po udhëtonin për në fshatin Paganine, në Modena të Italisë. Por, gjatë kontrollit policia zbuloi 6 doza kokainë të fshehura brenda në automjet.
Menjëherë pas kësaj karabinierët nisën edhe kontrollin e banesës, ku konstatuan se ajo ishte kthyer në një laborator të mirëfilltë droge, pasi aty gjendeshin të gjitha mjetet e nevojshme për ndarjen dhe paketimin e kokainës dhe heroinës.
Në shtëpinë e çiftit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për mediat, u gjet gjithashtu një sasi tjetër droge, e cila po të shitej do të kapte vlerën e 60-mijë eurove.
Burri 37-vjeçar është dërguar në qelinë e paraburgimit ndërsa gruaja 27-vjeçare është lënë nën arrest shtëpie pasi ka një djalë të vogël për t’u kujdesur. Portali i lajmeve “Modena Today” raporton se shqiptarët nuk kishin leje qëndrimi në Itali.