rben Kaçorri, 52-vjeç është arrestuar në Lisbonë për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa mediat portugeze e cilësojnë si një nga figurat kryesore të mafies ballkanike. Po sipas mediave portugeze Arben Kaçorri është kunati i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2022.
Shqiptari, i dënuar për vrasje në Itali, jetonte prej 11 vitesh në një ndërtesë luksoze në Lisbonë. Bashkë me 52-vjeçarin shqiptar u arrestua edhe fqinji i tij portugez, i cili kishte gjithashtu edhe pasaportë holandeze, Ícaro Leddy Gouveia, 48-vjeç, i lidhur me mafian marokene, por që vepron kryesisht në Holandë.
Arben Kaçorri, bashkë me 48-vjeçarin portugez drejtonin një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës i cili operonte në Portugali dhe në Holandë. Rrjeti koordinohej në banesën në Lisbonë.
Në orët e para të datës 3 korrik, policia shkatërroi organizatën kriminale. Nëpërmjet një deklarate zyrtare në kuadër të operacionit të koduar ‘Labirint’ policia ushtroi kontroll tek të dyja banesat dhe bëri të mundur çmontimin e grupit të organizuar kriminal të akuzuar për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale, rrëmbim dhe pengmarrje.
Arben Kaçorri dhe Ícaro Leddy Gouveia mbeten sërish fqinjë, megjithëse kanë ndryshuar adresën, pasi tashmë ndodhen në burgun e sigurisë së lartë Monsanto, në Lisbonë ku presin zhvillimin e hetimeve në paraburgimin.
Sipas policisë, të arrestuarve iu sekuestruan ‘sasi të mëdha parash, disa automjete luksoze, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike’.
Policia thekson gjithashtu se kjo organizatë ka kryer “disa krime të dhunshme që synonin të zotëronin trfaikun e drogës përmes përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve”.
‘Duke pasur parasysh potencialin e madh ekonomik të organizatës, anëtarët e saj kishin masa të forta sigurie dhe vetëmbrojtjeje, përkatësisht mjete të avancuara të transmetimit të informacionit, si në nivel individual, ashtu edhe të përdorura në përdorimin e kundërmasave policore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arben Kaçorri, i konsideruar ‘shumë i rrezikshëm’, bënte një jetë të kujdesshme dhe luksoze në kryeqytetin portugez.
Arben Kaçorri, sipas medias portugeze është kunati i Ervis Martinajt, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, i zhdukur që prej gushtit 2022. Kaçorri, 52 vjeç, është i njohur për të shkuarën e tij kriminale, të lidhur me organizata kriminale (vëllai i tij, Valentino, përmendet edhe si pjesëtar tjetër i mafies ballkanike).
Në maj të vitit 2009, ai u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj burg për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Fatmir Kala, në Firence, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dënimi u bë i parevokueshëm në tetor 2010, pasi ankesa e tij (e fundit) u refuzua. Autoritetet italiane, megjithatë, nuk arritën kurrë ta lokalizonin Kaçorrin në mënyrë që ai të vuante dënimin. Shqiptari ka përfituar edhe falje prej tre vitesh, por duhet të vuajë 18 vjet e tetë muaj burg për atë krim.
Së shpejti Italia do të kërkojë ekstradimin e të dënuarit në shtetin portugez. Pas këtij dënimi, 15 pasuri të Kaçorrit iu konfiskuan në dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të një gjykate shqiptare. Trafikanti i drogës humbi ndërtesa tregtare, apartamente, toka dhe garazhe, të gjitha të vendosura në kryeqytetin Tiranë dhe rrethinat e tij