Elvis Gaçaj, një person i njohur për aktivitet kriminal, është arrestuar së bashku me shokun e tij, Marsel Dobi, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Gaçaj qarkullonte me armë zjarri dhe ka një histori të gjatë dënimesh për armëmbajtje pa leje, trafik droge dhe vjedhje me dhunë.
I njohur si pjesë e klanit “Duka”, Elvis Gaçaj ka qenë një nga të dyshuarit për vrasjen e Santiago Malkos. Në lidhje me këtë ngjarje, ai ishte arrestuar në vitin 2019 në Durrës.
Më herët, në prill të vitit 2018, Gaçaj u arrestua së bashku me Leonard Dukën në një apartament pranë shkollës “Partizani” në Tiranë. Policia gjeti një pistoletë dhe lëndë narkotike në banesë, por gjykata vendosi atëherë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të dy të pandehurit.
Emri i Elvis Gaçaj doli gjithashtu në skenë pas atentatit të 1 tetorit 2015, ku ai i shpëtoi një masakre ku mbetën të vrarë dy persona që ndodheshin me të në të njëjtën makinë.
Përveç këtyre, Gaçaj akuzohet për financimin dhe administrimin e parcelave të hashashit në zonën e Shëngjergjit, ku dyshohet se ishte personi përgjegjës për kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.