Një arritje e jashtëzakonshme për sportin shqiptar është shënuar në Lima të Perusë, ku peshëngritësja Enkileda Carja është shpallur Kampione Bote e trefishtë në kategorinë U17, duke bërë histori si kampionia e parë botërore në këtë sport për Shqipërinë.
Sportistja 17-vjeçare e klubit Teuta realizoi një performancë të shkëlqyer në Kampionatin Botëror të të Rinjve (U17), duke fituar tre medalje ari dhe duke vendosur tre rekorde të reja europiane:
- Shkëputje: 98 kg
- Shtytje: 115 kg
- Total: 213 kg
Përveç titujve botërorë në kategorinë U17, Carja arriti të sigurojë edhe një medalje bronzi në shkëputje në kategorinë për moshat U20, duke konkurruar me sportiste më të mëdha në moshë.
Ky sukses i rrallë është rezultat i përkushtimit të jashtëzakonshëm të Enkiledës, punës së trajneres së saj Eglantina Kalemi, dhe mbështetjes së vazhdueshme të klubit Teuta, ku drejtori Kreshnik Leka besoi në talentin e saj dhe e afroi në ekip.
Me këtë triumf, Carja është shndërruar në një simbol frymëzimi për brezat e rinj, duke dëshmuar se përkushtimi, disiplina dhe pasioni sjellin rezultate madhështore.