Arsenali ka arritur të marrë një fitore të thellë me rezultatin 5-1 ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 24-të në elitën e futbollit anglez.
Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e dytë të takimit pas një gabimi të Manuel Akanjit, i cili i dhuroi mundësinë Martin Odegaard të shënonte për rezultatin 1-0.
‘Topçinjtë’ menduan se kishin realizuar edhe golin e dytë në këtë takim kur Gabriel Martinelli e çoi topin në fundin e rrjetës në minutën e gjashtë, por ai gol u anulua për pozicion jashtë loje.
Në anën tjetër rasti i parë për ‘Qytetarët’ në këtë pjesë erdhi në minutën e 24-të kur gjuajtjen me kokë të Josko Gvardiol e priti në mënyrë fantastike David Raya.
Një tjetër rast të mirë shënimi e pati edhe braziliani Savinho në minutën e 43-të, por sërish në skenë doli Raya për t’ia mohuar golin e barazimit.
Me të filluar pjesa e dytë, Manchester City realizoi golin e barazimit përmes Erling Haaland (55’) i cili shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Savinhos.
Sidoqoftë, gëzimi i Cityt nuk zgjati as një minuta, pasi menjëherë në aksionin vijues, Arsenali ia doli të rikthejë epërsinë duke shënuar përmes Thomas Partey (56’) për 2-1.
Të besuarit e Mikel Artetas nuk u ndalën më kaq dhe realizuan sërish, kësaj radhe përmes të riut Lewis-Skelly (62’) që shënoi një gol të bukur për 3-1.
Listës së golashënuesve iu bashkua edhe Kai Havertz i cili në minutën e 76-të realizoi për 4-1 pas asistimit të Gabriel Martinellit, teksa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Ethan Nwaneri i cili realizoi për 5-1 në minutën e 93-të.