I ftuar në studion e Televizionit Fax News, kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta u shpreh se punonjësit e Policisë nuk trajtohen si duhet dhe shteti nuk zbaton ligjin në lidhje me të drejtat e tyre për aq kohë sa janë në detyrë por edhe pasi ata e përfundojnë këtë mision.
Sipas tij shteti nuk ua ka dhënë punonjësve të policisë pagën e 13-të i cili është një detyrim ligjor.
“Paga e zakonshme e një punonjësi të policisë është rreth 42 mijë lekë dhe më kaq të ardhura ai e ka të vështirë që të mbajë familjen e tij. Të ardhurat e tyre janë në nivele jetike pasi duhet marrë parasysh se janë edhe i vetmi profesion që nuk kanë sigurim të jetës. Kërkesat e Policisë së Shtetit kërkojnë vetëm që të zbatohet ligji. Ka gjithashtu një disnivel të madh të pagave sa u përket gradave në polici. Në 2015 filloi t’ju zbritej paga për shkak të gradës”.
Fishta foli gjithashtu edhe për trajtimin me pensione që bën shteti ndaj policëve të cilët u mbaron afati i shërbimit në këtë mision. Ai tha se mosha mesatare e punonjësve të policisë së shtetit po shkon drejt plakjes, dhe sipas tij,kjo duhet studiuar me kujdes nga qeveria.
“Për punonjësit mbi 50 vjec duhet të jepet një pension special me 65% të shumës së pagës së plotë të një punonjësi të policisë, pasi ata nuk mund të jenë gjithmonë në të njëjtën formë dhe performancë. Shteti duhet të bëjë sistemime dhe zëvendësime në raste të tilla duke i zëvendësuar me njerëz të rinj por pa lënë pas dore ata që u mbaron afati i shërbimit në këtë pozicion,” – tha kreu i Sindikatave të Policicisë së Shtetit.
Transferimet e punonjësve, drejtorëve dhe shefave të komisariateve të policisë bëhen sipas tij, për shkak të interesave politike apo presioneve që vijnë nga ana të ndryshme.
Sipas Fishtës, transformimi i policëve i ka rënduar ekonomikisht ata sepse gjysmën e pagës e shpenzojnë për nevojat personale të tyre pasi janë larg familjes.
“Policët i blejnë vetë edhe uniformat dhe as që bëhet fjalë që të kompensohen për këto shpenzime,” – deklaroi Sadetin Fishta në studion e Televizionit Fax News.
(F.GJ/FAXWEB.AL)