Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Arta Dade në një intervistë për emisionin “Tempora” në RTV Ora foli për nevojën që ka Shqipëria për krijimin e një lëvizje brenda PS-së, që do të mendojë për interesat e Shqipërisë.
“Sipas konceptit tim në Shqipëri mungojnë liderët. Kemi të bëjmë vetëm me drejtues të partive politike. Dikur PS mendonte se mund të sakrifikonte pushtetin për të bërë shtetin, ndërsa tani forcat politike kërkojnë të sakrifikojnë shtetin për të mbajtur me thonj pushtetin, ose për të ardhur me rrugë të gabuara drejt pushtetit.
Besoj se për sa kohë mungon vullneti politik dhe këtu dua të inkurajoj kolegët e mi që ndodhen në grupin e mazhorancës, zërat nuk kanë munguar. Kujtoj Bushatin që bëri thirrje për dialog. Ne duhet ta gjejmë forcën që të mendojmë për interesa madhore të Shqipërisë”, u shpreh Dade.
Dade theksoi gjithashtu se në vend është cënuar siguria në mënyrë serioze, ndërsa pushteti ekzekutiv është kapur nga korrupsioni.
“Nuk mendoj që kemi një kapje të shtetit në kuptimin klasik të fjalës, por është shqetësuese që ka segmente shumë të rëndësishme të shtetit që nuk po funksionojnë. Pra kam parasysh pushtetin gjyqësor, por mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese që ka kohë që nuk funksionon.
Kam parasysh edhe Parlamentin, i cili nuk punon në kapacitetin dhe në formatin e tij të zakontë me djegien e mandateve nga ana e opozitës që është një gjë e paprecedentë, që dëmton shumë rëndë funksionimin e parlamentit, dëmton shumë rëndë demokracionë dhe dëmton shumë rëndë vetë opozitën.
Kemi një sërë institucionesh që nuk po funksionojnë, është cënuar siguria në mënyrë serioze, në vend dhe unë besoj se segmente shumë të rëndësishme të shtetit, si ekzekutivi janë kapur nga korrupsioni. Kemi një rezultat të munguar në luftën kunër krimit të organizuar”, u shpreh Dade.