Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, e ftuar në emisionin “Arena”, ka folur për deklaratat e Ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakajt për shkarkimin e disa punonjësve të Ministrisë së Jashtme.
Dade ka thënë se deklaratat e Cakajt janë antiligjore dhe nuk kanë ndodhur ndonjëherë më pare.
Arta Dade tha se “Legjislacioni e përcaton qartë se çfarë detyrash ka zëvendësministri, dhe për rrjedhojë ligjërimi i tij lidhur me kërcënimin apo informim në media, nuk besoj që ka ndodhur ndonjëherë që lëvizjet në rastin konkret të diplomatëve të bëhën duke u dhënë paralajmërim përmes mediave”.
‘’Ngritja e një grupi pune siç u shpreh nga Ministri Cakaj brenda 77 ditëve për të monitoruar performancën e diplomatëve nuk ka ndodhur as në kohën e Sali Berishës kur erdhi në pushtet dhe patëm një ligj 24/1 kur u bë largim në masë nga administrate publike. Dhe po të vije re kriteret për të emëruar në diplomaci ishin disa kritere emotive, dhe jo të bazuara mbi profesionalizëm dhe kriteret e ligjit. Kjo që ka ndodhur nuk ka ndodhur asnjëherë. Po bëhem dëshmitar të disa risive që në vend që të cënojnë shtetin ligjor po e cënojnë dukshëm në mjaft drejtime”, shtoi Arta Dade.
Ajo përmendi dhe Kryeministrin Rama i cili në fillim të këtij mandati bëri disa deklarata në mënyrë arrogante dhe pas kësaj nuk vumë re asnjë lëvizje nga ana e ambasadorëve që janë nën autoritetin e Kryeministrit. “Këto deklarata pikë së pari janë antiligjore, pasi ministria e Jashtme e ushtron aktivitetin sipas ligjit”, tha ajo.
Kujtojmë se në mënyrë të paprecedentë, ministri në detyrë Gent Cakaj doli në konference për mediat dhe lajmëroi se do shkarkohen 20 diplomatë.
“Kam vendosur të shkëpus marrëdhëniet me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre dhe lëre pastaj për të mbështetur ambicien e kësaj qeverie dhe vizionin e kryeministrit Rama për të çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria nuk është e miqve dhe krushqve, por e të gjithëve”, deklaroi Gent Cakaj.