Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka dorëzuar pranë KLP kandidaturën për një mandat të plot në krye të organit të akuzës. Marku, u emërua në krye të PP në vitin 2017 si e komanduar mes tensioneve politike.
Përveç Markut në garën për vendin e prokurorit kanë aplikuar dhe tre kandidatë të tjerë derimë tani që janë Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.
Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për Prokurorin e ri të Përgjithshëm është data 2 Maj, ndërkohë rreth muajit Qershor pritet të zgjidhet dhe emri që do të drejtojë organin e akuzës në mandatin e ardhshëm.
4 kandidaturat në garë:
Kujtojmë se mes Markut dhe Çelës pritet të jetë një garë e fortë, për shkak se mes tyre ka pasur dhe një përplasje. Kryeprokurorja e Përkohshme me marrjen e mandatit të saj e delegoi Çelën në prokurorinë e Beratit, por KLP vendosi rikthimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe e konsideroi vendimin e Markut të jashtëligjshëm.
Nga ana tjetër Lulzim Alushaj nuk është një emër i panjohur, pasi në pozicionin e avokatit ai ka dalë në skenë në mbrojtje të interesave të emisionit Top Story, që transmetohet në Top Channel.
Prokurorja e Apelit në Tiranë Fatjona Memçaj, ka përfunduar shkollën e magjistraturës në 2002 dhe gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në Universitetin Middlesex, Londër.
Memçaj njihet si prokurorja që dënoi në apel Kastriot Ismailin dhe prokurorja që ka përfaqësuar çështje kundër korrupsionit. Fatjona Memcaj aktualisht është edhe Anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
(E.K/FAXWEB.AL)