Kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku po raporton në Komisionin e Ligjeve raportin për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2017.
Marku në fjalën e saj ka thënë se drejtësia penale ka pësuar ndryshime thelbësore, një reformim të thellë dhe gjithpërfshirës.
Marku ka deklaruar se ka një ndryshim thelbësor në cilësinë e kapaciteteve profesionale dhe për këtë kanë ndikuar edhe shkolla e magjistraturës si dhe angazhimi I prokurorëve.
Gjithashtu ajo ka shprehur se rritja profesionale e prokurorëve ka ardhur edhe si pasojë e asistimit me projekte nga ana e BE.
Procedimet penale për korrupsion sipas Markut janë rritur në vitin 2017 në krahasim me procedimet e vitit 2016.
Ajo tha se ka pasur hetime për 11 raste për korrupsion në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që janë proceduar dhe 12 funksionarë për korrupsion.
Në Komisionin e Ligjeve ndodhen edhe përfaqësuesit e opozitës, ata kanë kundërshtuar që Arta Marku të raportojë ditën e sotme.
Seanca nisi me përplasje dhe debat mes mazhorancës dhe opozitës, e cila më herët ka kërkuar me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi anulimin e mbledhjes për shkak se thone që shkel rregulloren për nga menyra si është thirrur.
Pasi kreu u komisionit Ulsi Manja tha “kemi ftuar Prokuroren e Përgjithshme”, opozita reagoi menjëherë duke thënë: “është e përkohshme”.
Deputeti demokrat Edi Paloka tha “ajo nuk përfaqëson një institucion kushtetues se është zgjedhur me 69 vota. As gjithë votat e mazhorancës nuk ka marrë”, u shpreh ai teksa iu drejtua Manjës “me çfarë tagri e keni thirrur Markun?”.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post