Akademiku Artina Fuga ka hedhur poshtë zërat se ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Akademisë së Shkencave ku u votua për anëtarë në komisionit “ad hoc” të Vettingut.
Ai shprehet se nuk e ka vendosur emrin e tij si kandidaturë dhe ngre pyetjen se si mund të votohet dikush që nuk dëshiron të votohet. Më tej, Fuga thekson se nuk i interesojnë aspak ato komisione që nuk përputhen me konceptin që ai ka për drejtësinë e pastër, të pavarur dhe të drejtë.
Ai sqaron lidhur me ligjshmërinë e procesit, se për të mbetet në kundërshtim me normat juridike që e rregullojnë atë, por për këtë çështje duhet që të interesuarit t’i drejtohen Avokatit të Popullit.
Reagimi i plotë i Artan Fugës:
Procesi i vetingut nis me shkelje juridike
Sqaroj pas kërkesave që më vijnë se unë as kam qenë dot fare në mbledhjen e akademisë të shkencave ku sot, 18 janar, u votua për anëtarë në komisionet ad hoc të vetingut.
As e kam vendosur sigurisht emrin tim si kandidaturë.
As më ka pyetur njeri nëse e pranoj kandidimin tim të propozuar nga dikush tjetër.
As nuk kam shprehur dhe dhënë ndonjë autorizim për të hyrë në konkurim e për t’u votuar.
Si mund të votohet dikush që nuk dëshiron të votohet!
Unë e di shumë mirë se kur dhe ku mund të hyj ose nuk mund të hyj në proces votimi.
Pa merak !
Unë di të fitoj sikurse edhe di të humbas. Por kur kandidoj amà, jo kur nuk kandidoj.
Madje as më ka interesuar dhe as nuk do të më interesonte fare personalisht të isha në ato komisione që nuk përputhen fare me konceptin tim sesi krijohet një drejtësi e pastër, e pavarur, e drejtë.
As kemi pasur, as kemi, dhe as do të kemi po vazhduam kështu drejtësi të drejtë për qytetarët.
Gjithçka që fsheh këto nuk është veçse makinë budallaqe e propagandës të vrimave që mbajnë erë kalbëzim dhe korrupsion si dhe e kokëboshave mëndjefyell që fshihen pas fijes së barit.
Ajo që kërkova unë publikisht me anë të një letre botuar te gazeta Panorama, ishte t’u vihej fre përpjekjeve për të vendosur antarë komisionesh nga Akademia me manipulime që unë supozoj shumë mirë se ku e kanë rrënjën.
Nga kjo anë bashkë me kolegë të tjerë që iu corrën maskën këtyre përpjekjeve, nuk mund veçse të gëzohem që sadopak kontribuova që e vërteta të dali në dritë.
Sa për ligjëshmërinë e procesit, sipas Avokatit të Popullit në bisedën e sotme me mua, ai mbetet krejt në kundërshtim me normat juridike që e rregullojnë atë.
Gazetarët mund t’i drejtohen Avokatit të Popullit dhe të marrin prej tij deklarimet përkatëse dhe do të shohin se çfarë ka ndodhur.
Por, kjo është punë e Avokatit të Popullit, unë detyrën time lidhur me këtë çështje e mbarova këtu.
Faleminderit!
(XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post