Që pas faljes së Namazit ditën e Kurban Bajramit, një debat i madh ka nisur lidhur me heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Fillimisht debati ishte “u mbulua apo jo Skënderbeu” gjatë faljes së Namazit, nga ekrani i madh i vendosur. Mirëpo pasi u mor vesh që nuk ishte mbuluar, debati vazhdoi me “a ishte apo jo hero Skënderbeu”, duke iu kthyer e rikthyer teorive të vjetra e të reja. Debati vazhdoi me faktin se “Përse po bëhet debat në fund të fundit?”.
Akademiku Artan Fuga, e komenton tërë këtë gjullurdi duke ngritur pyetjen nëse është në ëndërr. Me të drejtë, Fuga shprehet se “I janë qepur Skënderbeut si Skënderbeu turqve”.
Situata ka arritur deri aty sipas Fugës, saqë më mirë të presim nisjen e parlamentit ditën e nesërme, në mënyrë që debati për Skënderbeun të mbarojë dhe mediat të kenë gjëra të tjera për të raportuar.
“Aman të fillojë parlamenti nesër që së paku të dëgjojmë e lexojmë qyfyre parlamentare se kështu pa lajme, na ka ardhur shpirti në majë të hundës nga psikologia e gazetë Sun, dhe uroj që Skënderbeu të durojë deri nesër se mos nis i jep yzengjive të kalit dhe ikën andej nga është nisur, drejt larg nga Veriu, te vendlindja e s’Ëmës !”
KOMENTI I FUGËS
I janë qepur Skënderbeut si Skënderbeu turqve!
——————-
Ore jam në ëndërr unë!
Meqë Rama shpalli vitin e Skënderbeut, kritikët e Ramës i janë qepur Skënderbeut si Skenderbeu turqve!
Ore mos jam në ëndërr!
More, pyes, “një pemë” përpara sesa të shpikeshin numrat sigurisht ishte pemë, por a ishte “një”?
Kombi përpara sesa të formohej, a ekzistonte ai dhe a mund të thoshte dikush se i takonte këtij apo atij kombi sikurse e kuptojmë ne sot?
A do të rreshtim së shtriri të sotmen drejt së kaluarës dhe drejt së ardhmes në një dimension ideologjik në fakt pa kohë, pra pa disruption, që gjithçka e mbulon me formula të gatshme universale ?
Do bëjmë histori, apo ideologji ?
Hajde bëjmë gargarizma mediatike me Vrana Kontin, ndaç edhe me Ballabanin, hajde edhe me Mujin dhe Halilin, se edhe ata si serbë duken, po lëreni Gjergjin!
Ore e dinë këta që Mesjeta nis që pas rënies të Romës dhe ka brenda saj etapa që dallojnë nga njera tjetra sa vetëm gjuha joprofesionale i përmbledh, obshje, dhe u thotë thotë : Mesjeta!
A ka ndonjë filozof të historisë gjëkundi se specialistë të greqishtes së lashtë të latinishtes nuk kemi?
Ore vërtet e kanë këta se në Mesjetë shqiptarët dhe serbët jetonin në symbiozë, osmozë, bruçelozë apo ku e di unë.
Cilët shqiptarë në Mesjetë, arvanitasit, arbëreshët, lebërit, muzakajt ?
Ore ka metodologji historike në këtë vend apo jo?
Apo “fajin e kishte Saliu!” dhe tani “e ka Rama”!
Kritikoni Ramën, Berishën, Nanon, se është inherente me demokracinë,
por lëreni Skenderin rehat!
Mos përfitoni se nuk është gjallë dhe nuk iu përgjigjet dot si dinte ai!
Se kështu jemi ne, edhe kur Dritëroi ishte gjallë asnjë nuk e shante, sapo ndërroi jetë, as tri ditë pritën por i hodhën baltë!
Nuk përgjigjet dot i vdekuri!
Aman të fillojë parlamenti nesër që së paku të dëgjojmë e lexojmë qyfyre parlamentare se kështu pa lajme, na ka ardhur shpirti në majë të hundës nga psikologia e gazetë Sun, dhe uroj që Skënderbeu të durojë deri nesër se mos nis i jep yzengjive të kalit dhe ikën andej nga është nisur, drejt larg nga Veriu, te vendlindja e s’Ëmës! (D.D/Shuplaka)