Gazetari Artan Hoxha ne një shkrim në mediat sociale ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pasi Komisionin hetimor Parlamentar hoqi dorë nga shkarkimi i presidentit Meta.
Hoxha ka publikuar një deklaratë të bërë nga Rama në foltoren e kuvendit më 8 korrik të 2019-ës dhe i kërkon llogari se përse nuk e dërgoi nismën deri në fund.
Gazetari thotë se Rama na rokanisi kokën një vit rresht duke sharë Metën se ka shkelur Kushtetutën dhe se do rrëzojë qeverinë, ndërsa tani thekson se po e ha turpin me ngjala.
Reagimi i plotë i Hoxhës:
O komandanti i Termetit, po na rokanise koken nje vit rresht. Jo Baba Likja, jo Baba Xhikja, jo presidenti ka marre malet, jo do rrezoje qeverine, jo ka frike se mos e burgose reforma ne drejtesi, jo keshtu e jo ashtu.
The e ç’nuk the. E bere terbjet te ziun, sa dynjaja nisi te mendoj, se e ke seriozisht. Po ja ku jemi tani, po i vendos vetem nje verejtje, ne librezen e punes.
Mire e ke. I fut dhe nje bardhak dhalle, nga ai i Termetit dhe…e ha turpin me ngjala. Apo ç’e deshe, ne keto kohera qe jetojme, “eshte turp, te kesh turp…
Pjese nga fjalimi i kryeministrit Rama, perpara kuvendit, per shkarkimin e Ilir Metes, si president i republikes…8 korrik 2019
“Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, që bashkëudhëhoqi me 3 kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërrues dhe qesharak njëkohësisht, në pafuqinë e tij, ai është sot, faktikisht, një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në Presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vitesh….
Mirëpo ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej, sepse për ne, dinjitet i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak, apo kalkulim elektoral.
Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij, si deputetë të këtij Kuvendi, duhet të jetë frontal, përtej dallimeve tona politike dhe në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe vetë dinjitetit të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, graviteti i parimeve themelore të Kuvendit, që na mbledh si përfaqësues të popullit, është një emërues që duhet të na bashkojë natyrshëm në vendim dhe në veprim, pavarësisht çdo interesi politik që natyrshëm na ndan.
Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë. Ai sot është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë.
Nuk është më thjesht frymëzuesi i ofensivës destruktive kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë. Ai sot është armiku i deklaruar i vetë Parlamentit të Shqipërisë.
Nuk është më thjesht politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi. Ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, i cili edhe me shtrirjen e rrezes së agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerët amerikanë dhe europiane na turpëron të gjithëve, ne këtu si deputetë, edhe ty si qytetar, si popull, si shtet.
Si mund të ketë Shqipëria e sotme, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate për në Bashkimin Europian, një kryetar shteti që duket si një aktor komik që imiton Presidentin e Republikës; Një kryetar shteti që, kur flet seriozisht, të bën për të qeshur dhe kur flet me të qeshur, të bën për të qarë; Një kryetar shteti që e parafytyron veten si një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e ambasadës së Bashkimit Europian dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banjoje?!
Si mund të ketë Shqipëria e sotme, një kryetar shteti që arrin thotë në konferencë për shtyp se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor, çka në fakt nuk ia ka kërkuar askush, edhe pse askush nuk ka mbetur pa pyetur veten se mos vallë ky njeri është realisht i ikur nga mendja e kokës….
Ai u kthye nga presidenti problematik i Shqipërisë, në tribunin patetik të lëvizjes haxhi qamiliste kundër zgjedhjeve, duke fyer edhe miqtë e Shqipërisë me reagimet e tij dumbabdiste ndaj përfaqësive diplomatike në Shqipëri dhe me letrat e tij qesharake, drejtuar autoriteteve të larta ndërkombëtare, si të ishte qytetari dixhital që i ankohet doktorit për vjedhjen e mbathjeve të detit nga narkopolumbarët e gjirit të Lalzit.
Shkarkimi nga detyra e lartë e kreut të shtetit e këtij personazhi, i cili risolli në skenën e historisë sonë si president Haxhi Qamilin, me vulën e tij proverbiale të kompanisë së eksport-importit të kafesë, është një lëvizje me detyrim-përcaktim i këtij Kuvendi dhe është një detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara Kuvendit.
Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vazhdon ta derdhe atë përditë, duke na dhënë çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur për të si njeri, të neveritur me të si politikan dhe të alarmuar prej tij si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë.
Por, natyrisht, ndryshe nga Ilir Meta që i ka kërcyer shtetit përsipër si të ishte një tank armik dhe që e përdor firmën si bombë për ta hedhur atë në erë, ne nuk mund ta përdorim fuqinë absolute të Kuvendit të Shqipërisë mbi Presidentin e republikës, si topin e Mato Grudës mbi sarajet e Mere Fizit.
Me zakon, Ilir Meta duhej shkarkuar që ditën që u hodh si raketë antiamerikane nga tave e koranit të Faros në Pogradec, drejt avionëve imagjinarë të juntës ushtarake amerikano-shqiptare mbi pallatin presidencial në Tiranë. Por me ligj, ai mund të shkarkohet vetëm pasi komisioni hetimor parlamentar, që votojmë sot, të kryeje detyrimin kushtetues të hetimit të fakteve, të dëgjimit të dëshmive përkatëse dhe raportimit përpara Kuvendit të përfundimit të hetimeve mbi shkeljen e rëndë të Kushtetutës.
Në mbyllje të kësaj fjalë, duke u bërë apel të gjithë deputeteve ta votojnë ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor, pikërisht në emër të interesit kombëtar dhe dinjitetit të këtij Kuvendi, i bëj dhe një thirrje publike Ilir Metës, të reflektojë dhe ta grumbullojë veten e shpërndarë dhe ta mbledhë brenda kornizës së përgjegjësive të kompetencave të tij.
Të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Shqipëri, të ndërpresë çdo sulm ndaj Parlamentit, të cilin nuk ka dyfek presidencial që e cenon në legjitimitetin e vet, siç nuk ka dekret molotov që e shkurton mandatin e tij.
Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm politik kundër qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me të cilën duhet të sillet siç e kërkon Kushtetuta, jo siç e urdhërojnë zërat e brendshëm të realitetit imagjinar, ku është transferuar së fundmi.
Mirë do ishte të ndalonte edhe përgojimin e figurave heroike të historisë së këtij vendi, sepse paralelizmat mes tyre dhe figurës së tij keqinformojnë brezin e ri dhe stimulojnë agresivitetin e injorancës ndaj shoqërisë dhe shtetit ligjor. Por kjo mbetet sidoqoftë një vërejtje miqësore”……
Nga Edi Rama dora vet…