Artistët e Cirkut të Tiranës në një deklaratë për mediat shprehen kundër largimit të tyre nga ndërtesa. Aristët kërkojnë që Ministria e Kulturës t’i sqarojnë ata sesi mund që të ndryshohet statusi i Cirkut, teksa artistët nuk janë pyetur fare.
Në një vendim të qeverisë thuhet se administrimi i cirkut ka kaluar te Bashkia e Tiranës, nga Ministria e Kulturës që ishte më herët.
Protesta e artistëve të cirkut është e përsëritur, ndërsa në verën e kaluar përmbarimi i detyroi ata që të largoheshin nga godina e tyre, pasi truallit i ka dalë pronari. Falë këmbënguljes së tyre afati për lënien e çadrës u shty me disa muaj.
Një pjesë e truallit ku është vendosur çadra është në pronësi të biznesmenit dhe njëherësh deputetit demokrat Astrit Veliaj.
Disa herë me rradhë përmbarimi ka kërkuar të mbyll dyert e Cirkut Kombëtar, por në çdo rast artistët e dhe sindikata e tyre e kanë penguar ekzekutimin e këtij vendimi që rrezikon t’i lërë artistët pa institucionin e tyre.
Hera e parë e përpjekjes së përmbarimit për të marrë institucionin ishte në shkurt të vitit 2015, ku nisën disa protesta nga drejtuesit dhe punonjësit e institucionit të Cirkut Kombëtar të Tiranës.
Në atë kohë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u premtoi se “Çadra e Cirkut Kombëtar do të qëndrojë në funksion të aktivitetit të artistëve, derisa ministria dhe bashkia së bashku me pronarin t’ju gjej në strehë të re”.
Mesa duket sot, gati tre vite më pas ministrja e ka harruar premtimin e bërë ndaj artistëve. Kjo është një situatë e ngjashme me atë që po ndodh dhe me artistët e Teatrit, ca më keq artistëve të cirkut ende nuk iu është dhënë një vend i sigurt se ku mund të performojnë.
(E.K/FAXWEB)