Një ekspozitë në Rokvill, në shtetin e Merilendit, përkujton ato gra iraniane, që u vranë për shkak se guxuan të flasin kundër padrejtësive. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh sjell detaje.
Këto duar të krijojnë përshtypjen se po dalin nga toka në këtë ekspozitë të hapur në një galeri pranë Uashingtonit.
Ato nuk lëvizin, por përmbajnë një mesazh të fuqishëm.
Secila dorë mban emrin e njërës prej qindra viktimave gra, të vrara në Iran, për pjesëmarrjen në protestat e nxitura nga vdekja e Mahsa (Jina) Aminit – një kurde 22 vjeçare, e cila u arrestua, burgos dhe vdiq në duart e policisë iraniane të moralit, në shtator të vitit 2022. Ajo u arrestua nën pretekstin se kishte shkelur kodin e veshjes duke mos mbuluar flokët.
Vdekja e saj nxiti protesta mbarëkombëtare, të cilat frymëzuan artisten Kiana Honarmand.
“Është shumë tronditëse të shohësh dhunë dhe aq shumë njerëz, burra, gra e fëmijë, duke u vrarë, si dhe mijëra të tjerë tek arrestohen”, thotë ajo.
Veprat e zonjës Honarmand i bëjnë homazh protestuesve, marshimet e të cilave, të nën parullën “Grua, Jetë, Liri”, u shndërruan në një lëvizje të fuqishme në Iran dhe pjesë të tjera të botës.
“Ndjeva se duhej të flisja për këtë gjë, sepse është lëvizja më e madhe dhe më e rëndësishme e kohës sonë dhe nuk po flitet për të aq sa duhet”.
Fjalët “Grua, Jetë, Liri”, të shpalosura në dritare dhe grumbuj flokësh të prerë të ngjitur në muret e galerisë, janë po ashtu simbolike.
“Shumë gra morën pjesë në protesta prej fillimit të tyre. Ato ishin shumë të zemëruara, për vrasjen e Mahsës, por edhe mbi mënyrën se si qeveria i trajtonte protestat. Pastaj ato nisë të presin flokët në shenjë proteste. Ishte diçka që u përhap gjithandej dhe shumë gra në gjithë botën filluan të presin flokët në shenjë solidariteti me gratë iraniane. Ndaj dhe zgjodha të paraqes këtë moment”, thotë ajo.
“Ajo që më tërhoqi më shumë ishin flokët e ngjitura gjithandej nëpër mure, pasi ato ishin shumë qendrore në betejën e grave iraniane për lirinë e tyre, si dhe duart, pasi duart e përgjakura simbolizojnë dhunën që u përdor ndaj grave, që kërkojnë të drejtat e tyre në Iran”, thotë zonja Barron.
“Mendoj se më shumë se kurrë, duhet të ngrihemi për të drejtat e grave gjithandej”.
“Ishte shumë frymëzuese të shihje se çfarë po bëjnë gratë në Iran çdo ditë, veprime të thjeshta të mosbindjes, siç është dalja në rrugë pa shaminë e kokës, që është e detyrueshme. Janë shumë të guximshme dhe unë e admiroj guximin e tyre”.
Artisja Honarmand thotë se qëllimi i saj është të vazhdojë të krijojë duar që përfaqësojnë jetët e humbura në protesta, qofshin gra, burra a fëmijë./VOA