Analisti Artur Zheji ka cilësuar së fundmi si dashakeqës dhe të turpshëm qëndrimin e televizionit grek ERT, i cili e ka nxjerrë kryeministrin Rama si një përbindësh, kapo droge; ka keqpërdorur deklaratat e analistëve dhe ka përdorur “ca plaka himariote dhe pension-marrëse, çupka të pafajshme fshati” kundrejt pagesës për të folur atë që duan grekët të dëgjojnë.
Zheji akuzon gazetarët e ERT-së se kanë censuruar pothuajse plotësisht fjalën e tij në këtë reportazh, sikundër mund të ketë fshehur mjaft nga ajo çka kanë thënë analistë të tjerë si Frrok Çupi, Andi Bejtja, për mikrofonin grek.
Ajo që tërheq vëmendjen është qëndrimi i analistit Zheji ndaj mënyrës si ky reportazh godet kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama. Zheji thekson në shkrimin e tij se nuk është duke e mbrojtur Ramën si njeri, por sipas tij duhet pranuar se 90% e qëndrimeve publike të kryeministrit janë objektive dhe të drejta.
“Dukej simbas këtij dokumentari, sikur Shqipëria drejtohej nga një Përbindësh, nga një perandor i drogës, krimit dhe thjesht një kapo bandë, që hante për mëngjes biftek me mish greku, në drekë paçe me kokë himarioti grekofon dhe në darkë zgjohej si vampire, e pinte pak e pak, shishka me gjak nga ai i Vangjel Dules, përzier me një koncentrat të përzgjedhur nga pikat e mbetura të gjakut të minoritarëve helenë.”, shprehet ndër të tjera analisti.