Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, ditën e sotme është takuar me Administratorin e ri të PNUD-it, Achim Steiner.
Ky takim u zhvillua në kuadër të punimeve të sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Mësohet se gjatë këtij takimi, Bushati dhe Steiner diskutuan mbi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm mes Shqipërisë dhe OKB-së, në mënyrë të veçantë në koordinimin e ngushtë lidhur me zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe angazhimeve në kuadër të Marrëveshjes për Klimën.
Po ashtu, Bushati theksoi nevojën që aktiviteti i OKB-së në Shqipëri të jetë maksimalisht i lidhur me përparësitë e reja të programit të qeverisë, të përqendrohet në aspektet e formimit profesional dhe punësimin e të rinjve dhe në tërësi me ecurinë e procesit të integrimit evropian.
Ministri Bushati e ftoi Steiner, që të vijë të vizitojë Shqipërinë.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit të tij në Neë York, Bushati u takua edhe me zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders si dhe me homologun e tij norvegjez, Børge Brende. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post