Pedagogët e univeristeteve publike prej dy orësh kanë zhvilluar ditën e sotme një mbledhje ku kanë marrë disa vendime të rëndësishme dhe i kanë vendosur qeverisë një afat deri më 1 shkurt që të shfuqizojnë ligjin e Arsimit të Lartë.
I ftuar në Fax News, pedagogu Jani Marka u shpreh se nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të hartuara prej tyre atëherë trupa akademike e universiteteve publike do të futet në një grevë të përgjithshme.
“Studentët kanë paraqitur 8 kërkesa dhe qeveria u ka dhënë një përgjigje jo serioze. Studentët kanë bërë disa kërkesa që janë aftashkurtra dhe që mund të realizoheshin menjëherë. Për shembull ulja e tarifave, janë ulur vëtëm për nivelin Bachelor dhe jo për nivelin Master ku tarifat janë edhe më të larta. Një tjetër pikë është rritja e peshës së votës së studentëve.
Nëse ne nuk marrim një përgjigje nga qeveria mund të shkojmë drejt grevës, mund të jetë një ditore, 3 ditore, kjo do të shihet. Ne do ta ndjekim në proces, pasi ngjarjet kanë rrjedhur në mënyrë dinamike.
Tek pakati qeveria u ka dhënë zgjidhje problemeve afatgjata, nuk ka dhënë zgjidhje për tarifat, votën studentore, buxhetin. Ne kërkojmë një ligj të ri të bërë nga fillimi, bërja e këtij ligji do të marrë disa muaj, por do të jetë një proces i gjatë. Duhet të ketë konsensus të gjërë dhe me partitë politike. Arsimi është prioritet kombëtar.”- u shpreh ai.
Deklarata e plotë e Asamblesë së Pedagogëve:
Takimi i asambleve dhe i stafeve akademike të fakulteteve të Universitetit të Tiranës
(Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja)
Deklaratë
Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe ministres së Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, znj. Besa Shahini
Duke njohur dhe duke vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e situatës aktuale në Arsimin e Lartë, dhe më specifikisht në Universitetin e Tiranës,
Me përgjegjësinë më të lartë për të ofruar mësimdhënie dhe kërkim shkencor të nivelit më të mirë për studentët tanë,
Me detyrën për të ruajtuar dhe për të forcuar rolin e universitetit publik në Shqipëri,
Nxjerrim këtë deklaratë:
1. Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
2. Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
3. Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
4. Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
5. Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme.
Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër.
(M.Q/Faxweb.al)