Kryeetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka reaguar në lidhej me asamblnë e PS. Ai thotë se anëtarët janë thirrur kot në këtë asmble pasi nuk i dëgjon askush, kjo sepse gjithçka aty e vendos lideri Rama.
Kokëdhima ka thënë se vendimet i merr Rama së bashku me njerëzit e rrethit të ngushtë të tij. Ai thotë se nuk pret ndonjë gjë të re nga kjo mbledhje.
“Personalisht nuk pres asgjë të re nga ky takim i lartë politik, ashtu siç besoj se nuk e pret asnjë prej shqiptarëve, përjashtuar enturazhin e Edi Ramës, i cili do të shpërblehet me poste në qeverisje, drejtori, borde, me tendera dhe koncesione. Nuk kam pritur as nga mbledhjet e tjera të asamblesë apo të Kongresit, sepse nën drejtimin e Edi Ramës, forumet e partisë, debati dhe vendimmarrja kolegjiale kanë vdekur, mbledhjet e tyre janë formale, ndërsa vendimet i merr kryetari dhe rrethi i ngushtë i tij, pa pyetur për anëtarësinë e këtyre forumeve, pa le më për ata dhjetëra mijëra anëtarë dhe militantë të bazës”, shkruan Kokëdhima.
REAGIMI I PLOTË:
Koço Kokëdhima
Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare, për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Axhenda është e njohur dhe pa asnjë ndryshim nga mbledhjet e kaluara: hierarkët e emëruar nga kryetari i partisë do të flasin njëri pas tjetrit, për sukseset e timonierit të PS-së në katërvjeçarin e kaluar dhe në zgjedhjet parlamentare, për reformat që do të bëjnë në qeveri dhe në parti, për vlerësimet që u ka dhënë populli gjatë dëgjesave publike, ndërsa kryetari do të mbajë lëgjëratën e mbushur me hiperbola për fitoren e 74 mandateve, çfarë do të bëjë në mandatin e dytë si kryeministër dhe se kush do të jetë ekipi i tij qeverisës.
Të gjitha bashkë do të jenë si copëza të puzzle-t që i garanton Shqipërisë vazhdimësinë e një lëngate pa fund. Personalisht nuk pres asgjë të re nga ky takim i lartë politik, ashtu siç besoj se nuk e pret asnjë prej shqiptarëve, përjashtuar enturazhin e Edi Ramës, i cili do të shpërblehet me poste në qeverisje, drejtori, borde, me tendera dhe koncesione. Nuk kam pritur as nga mbledhjet e tjera të asamblesë apo të Kongresit, sepse nën drejtimin e Edi Ramës, forumet e partisë, debati dhe vendimmarrja kolegjiale kanë vdekur, mbledhjet e tyre janë formale, ndërsa vendimet i merr kryetari dhe rrethi i ngushtë i tij, pa pyetur për anëtarësinë e këtyre forumeve, pa le më për ata dhjetëra mijëra anëtarë dhe militantë të bazës. Forumi i lartë i PS-së mblidhet plot dy muaj pas “fitores së Pirros” në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin zgjedhje si ato të 26 majit, të realizuara me forma e mjete të tjera. Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme.
Sali Berisha dhe Edi Rama kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. Vendi ynë është i vetmi vend në botën pluraliste që nuk bën dot zgjedhje me standarde. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku zgjedhjet i administrojnë dy partitë që kanë kapur shtetin. Zgjedhjet e 25 qershorit u manipuluan dhe u blenë masivisht me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Gati 90 për qind e kutive të votimit që u hapën për rinumërim në Tiranë rezultuan të manipuluara. Në Vlorë dhe të paktën në një qark tjetër, komisionerët e PS dhe PD numëruan votat e PS-së për llogari të PD-së për një deputet sepse Rilindja kish mundur të blinte vota shumë më tepër se sa i duheshin! Pjesëmarrja në zgjedhje, me gjithë ultimatumet, presionin për të vajtur dhe votuar partinë në pushtet, ishte vetëm 46,6 për qind, shifra më e ulët e rregjistruar në zgjedhjet parlamentare të tranzicionit shqiptar dhe që nuk u arrit as më 29 qershor 1997, kur të shkoje për të votuar mund të merreshe peng nga bandat e armatosura apo të haje ndonjë plumb qorr. Rama, si Saliu, ka alergji e frikë nga zgjedhjet e lira. Ai ka mbetur i vetmi lider i korruptuar nga ish-vendet komuniste, që nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme në vendin e tij. Rama nuk ka për të thënë asnjë fjalë sot në Asamblenë e PS-së për këto plagë të sistemit zgjedhor në Shqipëri dhe për faktin se vendi ynë nuk mund ta përtërijë dot elitën politike përmes zgjedhjeve.
ZGJIDHJA i kishte parashikuar këto që ndodhën dhe u bëri thirrje shqiptarëve që ta refuzonin kastën sunduese politike të Shqipërisë duke bojkotuar zgjedhjet e 25 qershorit. Ata refuzuan me neveri votëbesimin për politikanë që kërkojnë pushtet vetëm për të grabitur pasuritë e vendit dhe për t’u pasuruar për vete për më shumë se 7 breza. Një muaj përpara zgjedhjeve, Edi Rama mblodhi kongresin e PS-së. ZGJIDHJA kërkoi që ky kongres të zhvillohej mbi një platformë demokratizuese dhe jo për t’i thurur lavde e himne kryetarit.
Në fakt ndodhi kjo e fundit dhe u votua en block lista e hartuar prej tij me kandidatët për deputetë. Kështu do të ndodhë edhe sot në këtë asamble. Anëtarët janë thirrur vetëm për të dëgjuar se çfarë lider i zoti, i lavdishëm, historik e i paparë në këto treva, është kryetari i tyre dhe për të votuar listën e pushtetarëve të rinj të nxirosur nëpër kulisat e pushtetit! Socialistët e thjeshtë nuk i ka pyetur kush se kë do të donin për kryeministër, për ministra, apo drejtorë të lartë. A i zgjodhën ata deputetët që kanë tashmë prej zgjedhjeve të 25 qershorit? Sigurisht që jo dhe as mos të shpresojnë se kjo do të ndodhë ndonjëherë, për sa kohë në krye të PS-së është Edi Rama.
Ai vendos për ju se kë do të keni deputet, ministër, zv.ministër, kryetar bashkie, drejtor, anëtarë kryesie, kryetar partie në çdo nivel, anëtarë të forumeve qendrore e lokale, gjithçka. Ai do të vendosë, pas nisjes së reformës në drejtësi se kush do të jetë prokurori, gjyqtari, apo oficeri i policisë gjyqësore. Socialistët e bazës nuk ekzistojnë për të, ose më saktë ekzistojnë vetëm një herë në dy vjet që të venë dhe të votojnë me apo pahir listën e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish që ai e mbush me emrat e miqve dhe të partnerëve të tij në biznes. (B.H/Shuplaka)