Siguria në ashensor nuk bën pjesë në listën e temave më të përfolura, por padyshim kjo nuk nënkupton aspak se është e parëndësishme, sidomos prej faktit që jo pak aksidente kanë ndodhur me pasojë edhe vdekjen.
Emisioni investigativ “BOOM”, ka zbuluar një sërë problematikash serioze që spikasin gjatë aksidenteve në ashensor. Pavarësisht se Autoriteti i Mbikqyrjes së Tregut i ngritur në muajin janar të këtij viti, për të parën herë garanton qytetarët se situata për rreth 15000 ashensorë në gjithë vendin do të merret në kontroll.
Ndër këto problematika përfshijmë, mungesën e kontrolleve shtetërore, kolaudimin dhe supervizimin e përgjegjshëm, mungesën e administratorëve ligjor në pallate e deri tek banorët që nuk paguajnë për mirëmbajtjen.
“BOOM” ka publikuar dy raste ku jeta e banorëve është e ekspozuar përballë rrezikut të një aksidenti.
KRONOLOGJI E NGJARJEVE TË RËNDA NË ASHENSOR
Gjatë viteve kanë ndodhur disa raste aksidentesh me pasojë vdekjen në ashesor.
-Një rast është zonja shtatzënë që u dogj në një pallat në zonën e Freskut në Tiranë, kur ashensori mori flakë.
-Një fëmijë 3 vjeç në Durrës gjen vdekjen dhe një tjetër plagoset rëndë nga këputja e kavove të ashensorit në një pallat teksa ashensori është shkëputur nga platforma.
-Një rast tjetër ka ndodhur në Lezhë, ku trupi i dekompozuar i një gruaje është gjetur në gropën e ashensorit, mendohet që vdekja të jetë shkaktuar nga një rënie aksidentale në gropën e ashensorit.
-Gjithashtu një djalë 15-vjeçar ka gjetur vdekjen në ashensorin e punës së një kompanie fasonësh ku punonte e ëma e tij.
GJENDJA E ASHENSORËVE, KONTRATAT E MIRËMBAJTJEVE
Nga vëzhgimi që “BOOM” i ka bërë disa ashensorëve në disa zona të Tiranës vërehet se u mungon markimi i sigurisë CE, në një rast ashensori nuk ka asnjë të dhënë në kabinë, as kompaninë që e ka instaluar apo mirëmban, madje as peshën që duhet të mbajë në lëvizje.
Administratorët e disa pallateve në zonën e Unazës së Re thonë se kanë një kontratë mirëmbajtje, personin që e mirëmban e paguajnë banorët 60 mijë lekë në muaj, por thonë se kur ikin dritat ashensori nuk hapet, pra nuk e ka sistemin e emergjencës, pasi bateritë që vënë në punë këtë sistem kanë skaduar ( bateritë kanë një afat një vjeçar përdorimi) dhe banorët nuk vënë lekë për ti ndërruar.
Ata thonë se janë administratorë 24 orë pasi nuk largohen dot nga pallati, pasi nëse ikin dritat apo ngel njeri brenda duhet të jenë aty për ta hapur derën e ashensorit nga jashtë me një çelës që e mbajnë vetëm ata.
Administrator 1: Unë i bëj një pagesë mujore firmës që e ka ndërtuar. Ajo vjen dhe e kontrollon 4-5 herë në muaj nëse ka defekt apo jo.Në momentin që fiken dritat tek këta të mitë nuk happen dyert. Nëse ashensori ngel mes kateve, e ndihmojmë personin dhe e nxjerrim. Hapet dera gjysëm, e kapim dhe e nxjerrim.
Administrator 2: Problemi është i baterive, ata të kontratës së teknikës së ashensorëve nuk kanë marrë përsipër tek kontrata që kemi ne vendosjen e baterive, kanë marrë gjëra të vogla si butonat. Ashensori sipër ka 5 bateri, nga 22 mijë lekë bëjnë 120 mijë lekë. Këto janë në varësi të të ardhurave të njerëzve.
Administrator 3: Kompania e kontrollon çdo 15 ditë. Lë çertifikatën që ka marrë lekët, asgjë tjetër.
Banori: Ka raste që kanë mbetur fëmijë me gra në ashensor. Ndërhyjmë ne nga jashtë, ose ata nga brenda, ka raste që prishim dhe dyert dhe futemi ti nxjerrim.
Banori: Kam frikë të hyj në ashensor se mos fiken dritat.Nuk janë të sigurtë.
Nënkryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Arben Dervishi, thotë se problemi nis qe te supervizori i cili është i detyruar ti kontrollojë të gjitha sistemet, pra të zbatohet projekti në të gjitha normativat.
Arben Dervishi: Problemi nis që te supervizori, i cili është i detyruar t’i kontrollojë të gjitha sistemet, pra të zbatohet projekti në të gjitha normativat që ka dhe pastaj tek kaloudatori që i hap rrugën për shfrytëzim, i cili kontrollon të gjitha llojet e strukturave të sistemit. Bile bën edhe prova me ngarkesë, pa ngarkesë. Pasi kolaudatori thotë që ky objekt është në përputhje me projektin e miratuar dhe kushtet e ndërtimit, atëherë i hap rrugën që bashkia të japë lejen e shfrytëzimit të një objekti. Kontrolli i bashkisë nuk është se do të kontrollojë objektin, por të bëjë një shikim viziv, kontrollon lejen e dokumenteve dhe pastaj jep lejen e shfrytëzimit. Hallkat që janë për të pasur një lloj sigurie është supervizori dhe kolaudatori, të cilët duhet të plotësojnë detyrimet që kanë. Çfarë ndodh më vonë, lidhet me mirëmbajtjen, sepse vërtetë kompanitë e ndërtimit kanë garancinë për objektet që bëjnë, por natyrisht kjo garanci do të shoqërohet edhe me mirëmbajtjen që u bëhet sistemeve. Ka një garanci nga 1 deri në 5 vjet në varësi të marrëveshjes që lidh me qytetarët. Ne duhet të bëjmë një mirëmbajtje të herëpashershme të ashensorëve. Zakonisht, ato kanë një mirëmbajtje rutinë, ato kontrollohen një herë në muaj.
Nexhbedin Nuredini, është administrator i një kompanie ashensorësh në Tiranë.
Ai ka ekskluzivitetin e një kompanie prodhimi ashensorësh në Itali dhe thotë se është e rëndësishme që ashensorët të mos ndërtohen pjesë-pjesë siç janë një pjesë e ashensorëve që janë montuar sot nëpër pallate, por të jenë një trup siç i garanton fabrika.
Nexhbedin Nuredini, administrator kompanie ashensori: Unë operoj me një fabrikë në Itali. Ashensorët dalin paketë e plotë dhe me të gjitha certifikatat evropiane. Aktualisht, tregu është i mbuluar me një produkt që nuk është i certifikuar totalisht nga një fabrikë e tillë. Ata operojnë me pjesë këmbimi. Produktet që merren nga një treg në një treg tjetër nuk përmbushin kushtet e sigurisë. Kjo arka ka ardhur kështu siç e shohim ne nga fabrika. Po të shohim kemi dy pika kontrolli që janë me të kuqe. Emergjenca në vetvete përfshin; në rast fikje energjie o ngritjen o uljen në kat dhe hapjen automatike të dyerve.
Gazetarja: Markimi CE çfarë është?
Nuredini: Të gjithë agregatet që vendosen në ashensor janë të detyrueshme që edhe të duken por edhe të vijnë me shoqërimin e garancisë. Ne pasi mbarojmë montimin e ashensorit, nuk kemi vend që ne të dorëzojmë agregatin një institucioni kompetent. Shteti duhet të funksionojë me një institucion që të marrë përsipër kolaudimin e mjeteve që janë në lëvizje si ashensor.
Inspektim me inxhinierin mekanik në dy ashensorë, një në zonën e Laprakës, një në zonën e Yzberishtit.
Bledi Kurtaga, mirëmbajtës ashensori: Ky ashensor është montuar prej vitesh dhe po të shohësh në sistemin e frenimit të emergjencës ose parashutës, në këtë rast nuk kemi sistemin e stakimit elektrik të elektromotorit në momentin që frenon.
Gazetarja: Çfarë do të thotë kjo?
Kurtaga: Do të thotë se kabina bllokohet por elektromotori i ashensorit është në punë dhe kjo shkakton zjarrvënien në dhomën e elektromotorit. Në këtë lëvizje që bën kabina, kjo mund të provokojë sistemin e frenimit të emergjencës. Edhe kjo lëvizje është e rrezikshme. Me sa pamë në këtë ashensor, ne vërtetuam se sistemi i sigurisë elektrike dhe mekanike operon më së miri, kurse sistemi i lëvizjes emergjente në momentin kur ikin dritat, ashensori shkon në katin më të afërt nuk ekziston fare dhe në të tilla raste është i detyrueshëm të monitorohet ky sistem.