Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar pas takimit me Monika Kryemadhin në selinë e LSI-së se mosbindja civile do të intesifikohet, duke bllokuar rrugët në 12 qarqet e vendit. Bllokimi i rrugëve do të bëhet nesër përgjatë një ore 18-19, dhe risia është se do të shtrihet edhe në më shumë akse të vendit, nga 5 që ishin javën e kaluar.
Po ashtu nesër në 11 do të bëhen publike të gjitha detajet sesi e mendon opozita funksionimin e qeverisë tranzitore, duke qenë se jo pak herë është akuzuar se nuk ka një plan konkret për këtë. Basha ftoi mediat të ishin të pranishme, gjatë shpalosjes së kësaj alternative nga ana e opozitës, që sipas tij do të mund ti jepte vendit më në fund zgedhje të lira dhe të ndershme.
“Nesër për një orë 18-19 do të bllokojmë akset në të gjitha qarqet e vendit, është kjo forma jonë e përshkallëzimit të revoltës. Ndërkohë që paraditen e nesërme ne do të shpalosim dhe detyrat që do të ketë qeveria e re tranzitore, së bashku me koalicionin tonë opozitar”, u shpreh Basha.
Ndërkohë që i pyetur për përpjekjet e presidentit Meta për të ulur në një tavolinë të përbashkët palët politike, Basha tha se largimi i Edi Ramës është një kusht i panegociueshëm për opozitën e bashkuar, që sipas tij është tashmë një shumicë për qytetarët.
Deklarata e plotë dhe pyetjet e gazetarëve:
Pyetje: z. Basha çfarë diskutuat në selinë e LSI?
Lulzim Basha: Rëndësi nuk ka vendi, rëndësi ka Kuvendi, apo jo?! Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkordojmë hapat që opozita do të hedhë në përshkallëzimin e aksionit opozitar.
Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Dhe siç u bë e qartë edhe 24 orët e fundit në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike të qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë.
Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensifikisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha.
Pyetje: Z.Basha nëse do të ketë një tryezë me disa parti politike, do të pranoni të uleni në këtë tryezë ku të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, qoftë edhe si kryetar i PS?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politikë, koalicionit më të madh, maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit : Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore. Detyrat e së cilës, në veçanti sa i përket organzimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i shpalosim nesër publikisht në orën 11:00 në Tiranë në praninë e medias, përfaqësuesve më të lartë të koalicionit dhe një numri të madh të ftuarish.
Pyetje: Z. Basha por ju thatë që propozimi i partive të vogla që kërkojnë pikërisht thirrjen e kësaj tryeze ishte në harmoni me Partinë Demokratike, çfarë ka ndryshuar që i riktheheni qëndrimit tuaj?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tim. Rivizitoni qëndrimet tuaja. Falemnderit, ditë të mbarë.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post