Nesër do të shpallet qeveria e re nga ana e kryeministrit Rama në mbledhjen e Asamblesë dhe deri më tani ende nuk ka asnjë emër që të jetë konfirmuar nga ai që do të jenë pjesë e kabinetit. S
igurisht që ne media ka disa që shihen më të sigurtë po të gjitha këto mbeten në kuadrin e thashethemeve.
Në këtë kuadër analisti Mentor Nazarko në një analizë të tijin te ‘’Konica.al” shprehet se Rama me emrat do që ti lërë të gjithë me gojëhapur.
‘’ Nëpërmjet këtij përdorimi, ai rrit suspansën, e trajton krijimin e qeverisë së re si një dramë, të cilës askush nuk ja di përfundimin, askush, madje as aktorët; mbush faqet e gazetave dhe portaleve, mediave, plot me lajme të rrejshme dhe sa herë që i lexon, me gjasë shkrihet gazit.
Shtien fall në filxhanë, apo në biseda të gjata plazheve, apo gjetiu. Vuajnë prej këtyre pandehmave, të përjashtuarit, lumturohen emrat e rinj; ditën tjetër situata ndryshon njëjtë sikur në një anekdotë me ushtarët amerikanë që diskutonin për një koleg të tyre, që kishte rënë me gjithë avionin në Vietnam’’, shkruan ndër të tjera Nazarko.
SHKRIMI
Është krejt e qartë, se lajmet rreth përbërjes së qeverisë që kur kanë filluar të dalin në garën mediatike për klike janë thuajse të gjithë në mospërputhje me njeri tjetrin. Edhe lajmet më të freskëta si produkt i përpjekjes së ndonjë gazetari të shquar për t’u dukur i informuar mbi këtë përbërje apo dhe ndonjë mediaje së rëndësishme janë gjithashtu të papërputhshme.
Me këtë premisë, ngjan lehtësisht e besueshme se këto lajme, ose janë imagjinatë e gjasishme, pandehma serioze që kanë subjektivitetin e lajmprurësit me tepri, ose përdorim të kujdesshëm të tyre prej atij që ka lajme të sigurta: vetë Edi Rama. Pse e bën këtë Edi Rama?
Nëpërmjet këtij përdorimi, ai rrit suspansën, e trajton krijimin e qeverisë së re si një dramë, të cilës askush nuk ja di përfundimin, askush, madje as aktorët; mbush faqet e gazetave dhe portaleve, mediave, plot me lajme të rrejshme dhe sa herë që i lexon, me gjasë shkrihet gazit. Shtien fall në filxhanë, apo në biseda të gjata plazheve, apo gjetiu. Vuajnë prej këtyre pandehmave, të përjashtuarit, lumturohen emrat e rinj; ditën tjetër situata ndryshon njëjtë sikur në një anekdotë me ushtarët amerikanë që diskutonin për një koleg të tyre, që kishte rënë me gjithë avionin në Vietnam.
E more vesh për Xhonin? Ra me gjithë avion. Oh sa keq. Po arriti të hapte parashutën. Oh sa mirë. Po ra në zonën e vietkongëve. Oh sa keq. Po ra në mullar. Oh sa mirë. Po ra në strumbullar. Oh sa keq.
I gjithë ky skenar hipotetik edhe nga ana jonë, skenar i motivuar nganjëfarë cinizmi i skajshëm, nga njëlloj hakmarrjeje ndaj mediave të kazanit, përforcon gjithashtu një bindje që doli dhe nga rezultati i fushatës: vetëm Rama e di se kush do bëhet ministër dhe askush tjetër. ASKUSH. Madje ai i trazon kartat me emra, apo nuk i ka lëvizur fare që nga dita kur ka arritur njëfarë ideje mbi listën e ministrave. Rama pra, është vendimmarrësi absolut. Rama për herë të parë në historinë e pluralizmit, ka mundësinë ta bëjë vetë listën, dhe për pasojë ka mundësinë të ruajë këtë mister me kaq xhelozi, dhe të luajë me cinizëm.
Nga pikëpamja mediatike, Rama synon të ruajë inisiativën në mënyrë ekskluzive: ai dhe vetëm ai do ta lëshojë lajmin! Ai me gjase të dielën kërkon të habisë të gjithë, edhe ata që sot pretendojnë se kanë lajme të sigurta, edhe ata që nuk i besojnë lajmeve në dukje të sigurta. Kërkon me gjasë të gjithë të bëjnë Uau, me listën e tij. Të habiten, disa të vuajnë tmerrësisht, disa të lumturohen tmerrësisht. Sadizëm pozitivist, hakmarrje pa gjak brenda. Është brenda natyrës së tij kjo lloj loje. Ai kërkon të bëjë Çudinë.
Disa përfundime, apo pikëpyetje (jo për emra) pas skenarit të çudisë
Përfytyrimi me probabilitet të lartë i këtij skenari, megjithatë na shtyn në disa përfundime të sigurta.
Një proces i kësaj natyre, megjithatë rezulton i pakonsultuar me forume partiake, si do mund të ishte, megjithëse sipas nenit 102 kryeministri është figura absolute politikbërëse e vendit. Atij i takon ekskluziviteti i emrave të qeverisjes, ideimi i politikave, ekzekutimi i tyre. Për pasojë ai do të zgjedhë emrat për to. Normalisht në lidhje me emrat, ne nuk do duhet të arsyetojmë si po bëhet tani, por ndryshe.
A ka në listën që gjendet në kokën e tij, apo në çdo përkëmbim emrash të mundshëm, njerëz të aftë t’i përgjigjen atyre që ai quajti në komunikimin e vet publik mjaft intensiv në gusht, si kurrë ndonjëherë, kërkesa të lushnjarëve, korçarëve, vlonjatëve, tiranasve, etj nga qeveria, për ujë, rrugë, etj, etj?
Nëse po- këta njerëz të aftë janë gjetur apo gjenden; si do t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve? Me një program të harmonizuar?
Dhe kur e kanë përgatitur, sa kohë që askush nuk e di nëse do bëhet ministër?
A do t’ i mjaftojë koha prej të dielës, deri në miratimin e qeverisë në mes të shtatorit të përgatisin programin?
Apo dikush do t’jua lërë në dorë?
Atëherë Programi është më i rëndësishëm sesa njerëzit, kur më shumë, Rama, kreu i listës është i sigurti, i konfirmuari. Pra se çfarë do duhet të bëjnë ata, merr më shumë rëndësi se kush janë ata. (ministrat e ardhshëm)
Kjo është pyetja kryesore: a kemi një program dhe si është punuar për të?
Nga bashkimi i propozimeve të grupeve të punës që u caktuan pas konsultimeve të para?
Nga grupet popullore të bashkëqeverisjes? Ka mister dhe për aplikimet në atë zyrë. Po tjetër çfarë do të ketë brenda programit?
Në këtë klimë pasigurie, Rama ka filtruar ndoshta një informacion të sigurt, që nuk lidhet me emrat, por me substancën. Ai është lajm i mirë: qeveria do të jetë më e vogël në ministra dhe ministri. Dhe prej axhendës shtetërore ne dimë dhe disa prioritete të tjera, por jo si do realizohen ato:
Bashkëpunimi me opozitën, si do ecë përpara në dritën e çeljes së negociatave me BE-në, që do duhej të mbyllet këtë vit sipas prognozave optimiste?
Kur do bëhet reforma zgjedhore?
Kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese, që nënkuptojnë një klimë mirëkuptimi minimale me opozitën nëse jo klimë bashkëqeverisjeje?
Le të presim të dielën, edhe për emrat dhe për përmbajtjen e aksionit qeveritar, programin e tij në linja të përgjithshme. Deri atëherë ne mund t’ i përkujtojmë kryeministrit, një thënie popullore: çudia më e madhe ( e lidhur me emrat surprizë), zgjat tre ditë. Pastaj na duhen çudira të tjera, por mbi të gjitha na duhet siguri për përmbajtjen e punës së qeverisë së ardhshme.
(E.K/SHUPLAKA)