Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të 3 personave të dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt në Britaninë e Madhe. Çuçi përgëzon Policinë shqiptare dhe atë britanike për arrestimet, ndërkohë që një reagim i tij kishte munguar pas vrasjes së Nikulajt.
Në prangat e policisë britanike kanë rënë shtetasit: Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan. Ata priten që të ekstradohen drejt vendit tonë, duke qenë se mes vendeve tona është në fuqi marrëveshja e ekstradimit.
Vrasja e Ardian Nikulajt pritet që të merren në dorë nga SPAK, për shkak se grupi ka funksionuar në mënyrë të organizuar.
Dyshohet se atentati ndaj biznesmenit lezhjan ka ndodhur për motive hakmarrje dhe është porositur pikërisht nga Haxhia, i cili është vënë në pranga në Britani.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi:
Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë.