Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke e lidhur fushatën me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Pasaporta e BE është aty, na duhet që shqiptarët të na japin mandatin në 11 maj dhe të japin një mesazh Brukselit duke votuar masivisht për pasaportën e BE,” tha Rama.
Sipas tij, liria individuale, e dëshiruar prej shekujsh nga shqiptarët, është fituar, por do të garantohet plotësisht vetëm me anëtarësimin në BE. Ai theksoi se integrimi do të sjellë siguri dhe barazi para ligjit, duke përmendur reformat e qeverisë në drejtësi si një hap historik në këtë drejtim.
“Nuk e fituam barazinë para ligjit as kur u çliruam nga diktatura. Falë reformës në drejtësi, shqiptarët po shohin për herë të parë një përpjekje reale për këtë barazi,” u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se qeveria e tij ka dorëzuar “vullnetarisht” sistemin e drejtësisë në duart e institucioneve të reja, pavarësisht kostove politike.
“Bufi i Kënetës me ata rreth tij betohen se do e kthejnë përmbys këtë. Duan votën që në 12 maj të marrin shpatën e drejtësisë dhe të zhveshin zonjën e drejtësisë nga fuqia për të vendosur barazi para ligjit”, shtoi ai duke iu referuar kreut të PD, Sali Berishës.