Kanë kaluar 10 ditë nga hapja zyrtare e garës për postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por burime për Fax News bëjnë me dije se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë zyrtare. Afati përfundimtar për aplikimet është data 6 qershor 2025.
Ndër emrat që përfliten se pritet të dorëzojnë kandidaturën në ditët në vijim është ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Një tjetër emër i lakuar është drejtori aktual i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani.
Burime brenda vetë strukturës së BKH-së flasin për kandidatura të mundshme edhe nga radhët e brendshme të institucionit, si Jon Keta, i cili aktualisht mban postin e zv.drejtorit të Byrosë, apo edhe Mentor Cuku.
Një tjetër figurë që përmendet si pjesë e kësaj gare është Elton Kërluku, ish-shef i krimeve kibernetike.
Përzgjedhja e drejtuesit të ri të BKH-së do të bëhet nga një komision i përbërë nga prokurorët Altin Dumani, Behar Dibra dhe Arben Kraja. Kandidati i përzgjedhur do t’i kalojë më pas për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Procesi i përzgjedhjes do të përfshijë shtatë faza vlerësimi: testin e arsyetimit logjik, kontrollin mjekësor, testin fizik, ese me shkrim, intervistën, verifikimin e figurës, deklarimin e pasurisë dhe testin e poligrafit.