Pas fluksit të informacionit në mediet shqiptare lidhur me makinat e përdorura, ”Shuplaka” u interesua te burime të saj për të mësuar me detaje mënyrën si do realizohet përshtatja me kërkesat për të minimizuar ndotjen në Shqipëri.
Mirëpo surprizuese mbetet ajo që mësojmë: asnjë makinë nuk do dalë nga qarkullimi në Shqipëri, pavarësisht prej vitit të prodhimit, thjesht do të bëhet rritja e standardit teknik. Për shembull, një makinë që ka standard teknik Euro1, do të duhet të kalojë në Euro3-sh. Në standardin Euro1 në vendin tonë janë 500 mijë mjete, me ”moshën” 18.4 vite.
Pra çështja fokusohet te llojet e standardeve që do të duhet të kenë automjetet për të qarkulluar në Shqipëri.
Burime të Ministrisë së Mjedisit thonë se asnjë mjet nuk do dalë nga qarkullimi dhe se viti i prodhimit të makinës nuk ka edhe aq rëndësi. Rëndësi ka standardi, i cili duhet të jetë i përputhshëm. Shumë makina me vit prodhimi të hershëm qarkullojnë në vende të tjera, të cilat nuk bllokohen, sepse kanë kaluar në këtë proces. Konkretisht çfarë duhet:
1-Për makinat që janë në përdorim aktualisht standardi duhet të jetë Euro3 e sipër.
2-Kur të hyjë në fuqi ky projektligj, për makinat e përdorura që do të importohen duhet të kenë standardin Euro4 e sipër.
3-Makinat e reja që do të importohen do të jenë Euro5 e sipër.
Burimi thotë se drejtuesve do t’u lihet afat për përshtatjen e standardit në mjetet që përdorin dhe ky afat mund të jetë 6 muaj deri në 1 vit, duke u krijuar mundësinë që të lëvizin me mjetet aktuale, deri në konvertimin e plotë.
Pra, përshtatja e standardit do të bëhet në servise dhe mënyra e përshtatjes do të përcaktohet nga Ministria e Transporteve, në një moment të dytë.
”Shuplaka” është duke u interesuar për informacione rreth kostove, kushteve të serviseve dhe shumë shpejt do të sjellë shembuj përshtatjeje të makinave, për të cilat me shumë të drejtë drejtuesit janë në ankth. Sa para do të paguajnë në këto servise?!/Valmora Gogo-Shuplaka
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”387″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]