Një atentat mafioz ka ndodhur këtë mesditë në qytetin e Vlorës, ku është qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt një mjeti tip “BMV”, e ku për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i makinës, i cili dyshohet se udhëtonte i vetëm.
Burime bëjnë me dije se atentati ka ndodhur në lëvizje dhe autorët kanë qenë më shumë se dy, ndërsa breshëria e plumbave ka qenë në të gjithë gjerësinë e automjetit që shihni në foton e mëposhtme.
Derimë tani nuk ka detaje në lidhje me identitetin e personit që ka mbetur i vdekur, dhe as për autorët e kësaj ngjarje kriminale.
Burime bëjnë me dije se policia ka ngritur pika kontrolli në rrugën e lumit të Vlorës, nga ku dhe dyshohet se janë larguar autorët.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, makina ka një numër të madh plumbash.
Zona ku ka ndodhur ngjarja ka shumë biznese që janë të pajisura me kamera sigurie, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMW” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.
(E.K/Faxweb.al)