Është vënë në pranga Skënder Daija 30 vjeç, i akuzuar për atentatin me silenciator ndaj Syri Mehmetaj në 26 dhjetor të vitit 2016, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Në pranga ka rënë dhe një shtetas tjetër për përpkrahje të autorit, A.Ç. 31 vjeç.
Ngjarja ndodhi në dhjetor të para 3 viteve tek rrethrrotullimi në dalje të unazës lindore të qytetit Shkodër, ku Daija qëlloi në makinë Mehmetajn në prani të gruas së tij e cila dhe e transportoi drejt spitalit me plagë të rënda.
Njoftimi i plotë:
Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 26.12.2016, si dhe arrestohet një person tjetër për përkrahje të autorit të krimit.
Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar në lagjen “Daniel Matlia”, Shkodër, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
S.D, 30 vjec, banues në lagjen “10 Korriku”, Shkodër;
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentative” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
Ky shtetas më datë 26.12.2016, tek rrethrrotullimi në dalje të unazës lindore të qytetit Shkodër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S.M, duke e lënë të plagosur rëndë.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A.Ç. 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.