Zbardhen detajet e atentatit të ndodhur në fshatin Poro të Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë mëngjesin e kësaj të hëne. Sipas burimeve, persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj dy shtetasve Sotiraq Mehillaj dhe Eno Mata.
Mehillaj dhe Mataj, shokë me njëri tjetrin, kanë qenë duke shkuar me motor për në banesë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, rreth orës 01:10 pak pas mesnate.
Sipas raportimeve, nga atentati të dy shokët, Mëhillaj dhe Mata kanë mbetur të plagosur, ndërsa rrugës për në spital ka ndërruar jetë Sotiraq Mehillaj 22-vjeç, ndërkohë Eno Mata 32-vjeç është i plagosur në gjendje të rëndë për jetën.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për zbulimin e rrethanave të atentatit, ndërsa bëhet me dije se efektivë të policisë së Vlorës dhe FNSH-së po krehin zonën me qëllim kapjen e autorëve.
Gjatë kërkimeve policia ka konstatuar një automjet tip Mercedes Benz duke u djegur në afërsi të fshatit Bishan, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët gjatë gjatë atentatit mafioz.
Sipas burimeve, automjeti është gjetur duke u djegur tek vendi i quajtur nënkalimi i Bishanit, jo më larg se 5 km nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk bëhen me dije arsyet pse ndodhi ngjarja.
Njoftimi i policisë:
Vlorë
Më datë 27.05.2019, rreth orës 01:10, në fshatin Poro (rrugë) në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë në drejtim të shtetasve E.M dhe S.M të cilët po udhëtonin me motorr.
Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22 vjeçari S.M, ndërsa shtetasi E.M, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Forca të shumta të Policisë Vlorë dhe FNSH-së po krehin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.