Eda Gjura është e mbijetuara e atentatit të rëndë të shënuar rreth një vit më parë në lulishten “1 Maji” ku humbën jetën shtetasit Aurora Oskia dhe Kevin Rugova, ndërsa mbeti i plagosur shënjestra e këtij sulmi Elvis Çaçaj. Atentati u krye pak minuta pasi katër shtetasit dolën nga ambientet e një restoranti të zonës dhe u futën në makinën që më pas u sulmua me breshëri plumbash.
Vetëm pak kohë më parë, gjykata dënoi me burg përjetë shtetasin Sael Sulajn, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtorit të tij, Vasiel Çavo, iu caktua masa e dënimit 30 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Referuar vendimit të plotë të Gjykatës së Tiranës dhe deklarimeve të dëshmitarëve, “Gazeta Shqiptare” ka publikuar dëshminë e të mbijetuarës Gjura, e cila ka shpjeguar përpara hetuesve momentin kur ajo dhe tre miqtë e saj që ndodheshin në makinë, u sulmuan nga persona të panjohur.
Ajo ka treguar se sapo mjeti ka lëvizur, ajo ka dëgjuar disa të shtëna arme dhe instiktivisht është ulur për tu mbrojtur. Pak minuta më pas, ajo ka ngritur kokën dhe ka parë që Elvis Çaçaj nuk ishte në timon dhe një grua që kaloi aty pranë thërriste: “Ia paskan hapur kokën asaj vajzës dhe djali po dridhet.”Eda Gjura shprehet se nuk ka arritur t’i shohë autorët e sulmit dhe nuk kishte dijeni se kush mund ta kishte bërë.