Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” në Tv Klan thotë se shpërthimi i eksplozivit në makinën e Aldi Mustafës në Shkozet të Durrësit është denoncuar 25 minuta me vonesë në polici. Lala shton se ka vetëm një detaj nga i cili duhet të nisë hetimi për të gjetur autorët.
Klodiana Lala: Në rastin e dytë të Aldi Mustafës, vetëm një fjali do them, ajo është një ngjarje e denoncuar në Policinë e Shtetit 25 minuta me vonesë. Mjafton kaq për të kuptuar.
Blendi Fevziu: Pse?
Klodiana Lala: Personi i cili i ka mbijetuar atentatit, Aldi Mustafa ka pretenduar momentet e para që dyshonte që mund të ishte një bombol gazi, në fakt ishte shumë e qartë. Unë kam qenë personi i parë që kam disponuar këtë video dhe e kam shpërndarë, po ta shikosh është e vetmja video pa logo që është shpërndarë gjithandej dhe është denoncuar dhe është sinjalizuar policia me 25 minuta vonesë.
Ajo çfarë duhet sqaruar ka vetëm një detaj: Shkozeti një natë përpara ka qenë në terr total, për orë të tëra nuk ka patur energji elektrike. Duhet të fillojë që këtu hetimi për të shkuar më pas edhe tek autorët e kësaj ngjarjeje.