Askush nuk pa asgjë në atentatin e mbrëmjes së të dielës në lokalin e Fatjon Muratit. Përpara grupit hetimor të plagosurit kanë deklaruar se nuk kanë kuptuar se cfarë ka ndodhur atë mbrëmje.
“Sapo kishte nisur ndeshja Juventus-Samdoria, ishim me kurriz duke parë ndeshjen. Nuk kuptuam asgjë. Në një moment dëgjuam breshëri të shtënash dhe instiktivisht u shtrimë në tokë për ti shpëtuar plumbave. Çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt”, kanë thënë në deklarimet e tyre të plagosurit.
Ndërsa përsa i përket identifikimit të autorëve deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar. Sipas hetuesve edhe kamerat e sigurisë nuk japin një ide të qartë përsa i përket fizikut të tyre. Kamerat e lokalit kanë qenë jofuksionale. Te vetmet kamera, janë sekuestruar 200 m nga vendi i ngjarjes. Burime bëjnë me dije se nga gjurmimi i tyre vërehen vetëm shkëndijat e kallashnikovit në momentin e qitjes, ndërsa duken dy persona si hije që hapin zjarr.
Ndërkohë, mësohet se për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë vënë në përgjim rreth 30 numra telefoni, por një burim pranë grupit hetimor, tha për Fax News se shumica e këtyre numrave janë të fikur. Hakmarrja, mes grupeve kriminale është pista kryesore që hetuesit po hetojnë, ku atentati i trefishtë i ndodhur korrikun e kaluar në Fushë-Krujë është një nga ngjarjet që hetuesit dyshojnë se solli ngjarjen e së dielës. Deri më tani, përveç të plagosurve policia nuk ka marrë në pyetje asnjë person tjetër.
Discussion about this post