Eno (Aleksandër) Mata, i dyshuar si objektiv i atentatit të ndodhur një ditë më parë në Poro të Vlorës vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mato gjendet në Spitalin Ushtarak të Tiranës ndërsa një ditë më parë i është shtruar operacionit për nxjerrjen e plumbave. Një prej tyre e ka prekur në pjesën fundore të barkut ndërsa 2 të tjerë në gjymtyrë.
Policia e Vlorës vijon hetimet për ngjarjen e mëngjesit të të dielës. Një ditë më parë janë shoqëruar rreth 15 shtetas banorë të fshatit Poro, Bishan, apo edhe të njohur të viktimës dhe të plagosurit. Të shoqeruarit janë marrë në pyetje e më pas janë lënë të lirë. Ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen. Policia gjithashtu ka sekuestruar disa kamera sigurie në Bishan dhe Novoselë.
Një ditë më parë 2 shtetas, Eno Mata dhe Sotiraq Mëhilli ndërsa kanë qenë duke u kthyer në banesat e tyre kanë rënë pre e një atentati. Bresheri kallashi është lëshuar në drejtim të tyre nga persona ende të pa identifikuar.
Për pasojë Sotiraq Mëhilli 22 vjeç ka ndërruar jetë në vend ndërsa Eno Mata 32 vjeç mori plagë të rënda. Ngjarja u mendua për hakmarrje për veprat kriminale për të cilat Mato akuzohet në Greqi, siç është edhe vrasja e avokatit grek Mihalesi Zafeiropoulos, edhe pse Mata ka mohuar të ketë gisht në ngjarje.
Viktima e kësaj ngjarje, Sotiraq Mëhilli, djali i madh i familjes Mëhilli, jetonte dhe punonte në fshatin Poro në fushën e bujqësisë, duke i ardhur kështu në ndihmë familjes së tij. Pak vite më parë Sotiraqit i kishte ndërruar jetë edhe babai. Ndërsa 22 vjeçari ishte shtylla e shtëpisë. Mesditën e djeshme, të afërm të familjes kanë tërhequr trupin nga morgu i Vlorës. Ndërsa nëna e tij ka mësuar për ngjarjen po mesditën e djeshme.
(F.GJ/FAXWEB.AL)