Gazetari investigative Artan Hoxha, ka zbuluar të tjera detaje lidhur me atentatin në vlorë, ku humbën jetën drejtori i OSHEE-së Roland Saliu si edhe biznesmenit Mirvjen Hyseni.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, Hoxha tha se shumë pranë vendit të krimit, një tjetër gëzhojë e ngjashme ishte gjetur tek një pemë si edhe disa detaje të tjera me makinën, që krijojnë mundësi për identifikimin e autorëve.
“Ka pasur atentate ku atentatori përdorte një thes, ku merrte gëzhojat me vete. Çfarë ka ndodhur në Vlorë, një nga predhat nuk ka goditur viktimat, por ka ngelur në një pemë që ndodhej afër tavolinës ku ishin dy viktimat. Ky element e lidh vendin e ngjarjes me provat. Autorët pas atentatit u larguan dhe pasi braktisën makinën tentuan t’i vënë zjarrin.
Por ajo nuk është djegur e gjitha, pasi flakët kanë dëmtuar vetëm kofanon dhe tavanin e mjetit. Fakti që nuk është djegur pjesa tjetër e makinës nuk ka prekur provat që pritet të çojnë në identifikimin e autorëve. Ekspertët kanë gjetur brenda makinës një kallashnikov dhe 12 gëzhoja të qitura në vendin e ngjarjes.
Këto gëzhoja lidhen me atë predhën që u gjet në makinë. Për herë të parë në vend është përdorur eksperti biolog, i cili ka veçuar prova të cilat të çojnë drejt autorëve. Në atë mjet ka dhe elemente të tjerë që mund të çojnë drejt identifikimit të tyre. Makina është prodhim i vitit 2005 dhe nuk është e lehtë që të grabitet. Ai ka një çelës të posaçëm. Është një çelës jo i zakonshëm dhe rezulton që mjeti të jetë i grabitur jashtë vendit. Këto janë të dhëna që i përkasin hetimit. Zjarri nuk shkatërroi të gjitha provat”, tha Hoxha. (D.D/Shuplaka)