Aktivisti Aulon Kalaja ka kërkuar publikisht transparencë për çështjen e Detit pasi kryeministri grek deklaroi se Greqia do të zgjerohet me 12 milje. Në një intervistë për Fax News, Kalaja kërkoi që të mësonte përse do të vijë ministri Dendias në vendin tonë dhe cila është biseda e tij me Ramën ku kryeministri shqiptar i ka dhënë “Ok”.
“Vendi fqinj del i fituar, ne jemi humbësit e mëdhenj. Ne kërkojmë transparencë në lidhje me zgjerimin e Greqisë me 12 milje. Ne kërkojmë transparencë se çfarë ka biseduar Rama me Nikos Dendias. Të zbardhet biseda telefonike, çfarë i ka premtuar Rama -Dendias, i cili është shprehur për mediat greke se ka marrë një “Ok” nga kryeministri shqiptar.
Çfarë është ky “Ok”, çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe Greqinë dhe të zbardhet agjenda e ministrit grek që do të vijë shumë shpejt në Shqipëri. Nuk është vendosur ende një datë, por duam të dimë arsyen përse do të vijë. Nuk jemi kundër vizitës, por duam të dimë përse vjen në këtë situatë në Shqipëri. Këto janë vetëm pikëpyetjet e para”, tha Kalaja.
Ndër të tjera, u shpreh se aktivisti beson tek zëri i popullit sa i përket kësaj çështje, por në asnjë moment kryeministrit Rama.
“Del kryeministri thotë që jam patriot, por se sa është ne e dimë shumë mirë. Prandaj ne nuk mbahemi nga fjala e njeriut, por tek institucionet. Kërkesa jonë për transparencë do ta bënte kryeministrin të dilte lakuriq, në kuptimin politik, dhe shqiptarët të kuptonin se çfarë fitonin apo humbnin nga kjo histori”, tha Kalaja.(A.M/Faxweb.al)