Kryetari i Partisë së Lirisë, zoti Ilir Meta ka prezantuar 6 propozimet e PL, në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin për mbështetjen dhe ndihmën për fëmijët e spektrit të Autizmit, për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe për familjet e tyre.
Zgjidhja e problemeve shumë të ndjeshme, që lidhen me Autizmin dhe Personat me Aftësi të Kufizuara nuk pret më.
Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Partia e Lirisë vjen me propozime konkrete për mbështetjen dhe ndihmën për fëmijët e spektrit të Autizmit, për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe për familjet e tyre.
. Dyfishimi i pagesës mujore, si për Personat me Aftësi të Kufizuara, ashtu edhe për personat që kujdesen për ta.
. Rimbursim për barnat që do të jepen nga mjeku për Personat me Aftësi të Kufizuara duke hequr kështu një barrë dhe kosto të lartë për familjet.
. Njohja e kujdestarisë dhe e vjetërsisë në punë për personat që kujdesen për të gjitha kategoritë e Personave me Aftësi të Kufizuara.
. Krijimi i infrastrukturës së nevojshme në kopshte dhe shkolla për fëmijët me çrregullime të spektrit autik duke ofruar mjedise mësimore gjithëpërfshirëse dhe efektive.
. Shtimi i mësuesve mbështetës dhe specialistëve të dedikuar për fëmijët me aftësi të kufizuara për të arritur raportin 1 mësues mbështetës/specialist të dedikuar për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.
. Ndërtimi dhe shtimi i qendrave të dedikuara vetëm për Personat me Aftësi të Kufizuara, ku të bëhet, jo vetëm trajtimi i tyre por edhe diagnostikimi më i hershëm.