Pas katër orë operacion shpëtimi në det, katër turistët gjermanë dhe francezë, të cilët kishin humbur kontaktet me grupin tjetër që prej mbrëmjes së djeshme në Gjirin e Gramës, u sollën në Triport, në stacionin e Policisë Kufitare Vlorë.
Me detin 7 ballë dhe erërat e forta, anija e Rojeve Bregdetare pati kontakt vizual me turistët në orën 09:54 për t’i imbarkuar dhe më pas për zhvendosjen e tyre në drejtim të ishullit të Sazanit, ku i prisnin mjetet e Policisë Kufitare, të cilët i sollën në Triport në orën 13:30. Një prej turistëve ishte kafshuar nga një qen dhe për këtë u kërkua prezenca e urgjencës, e cila dha ndihmën e parë mjekësore në Triport për të gjithë turistët.
Ne ishim duke bërë hiking prej mbrëmjes së djeshme. Kur po afroheshim pranë Gjirit të Gramës, u sulmuam nga një qen. Kërkuam për një vend të sigurt dhe më pas u strehuam në Gjirin e Gramës, pasi edhe qenë të tjerë po na afroheshin. Arritëm që, nëpërmjet dritave të vogla, të qëndrojmë në Gjirin e Gramës, ku takuam edhe dy persona të tjerë. Më pas arritëm të njoftojmë policinë, të cilët na erdhën në ndihmë menjëherë dhe për këtë i falënderojmë.”
“Kemi përshkuar një ecje prej gati tetë orësh deri sa kemi arritur në Gjirin e Gramës. Nuk kemi mundur të kthehemi më pas, kemi pritur aty dhe miqtë tanë që ndodheshin këtu kanë lajmëruar policinë. Tani jemi të sigurt, falë ndihmës së tyre dhe i falënderojmë shumë.”
“Faleminderit shumë, faleminderit për policinë dhe të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam nga Franca. Kemi pasur pak frikë, ishte e vështirë, por çdo gjë është OK. Na dhanë ushqim dhe ujë, dhe i falënderojmë të gjithë.”
Brenda 24 orëve të fundit, Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë finalizuar me sukses tre operacione shpëtimi: dy veliera që kishin shfaqur probleme në det dhe kërkuan ndihmën e autoriteteve, si dhe rasti i tretë, ku katër turistë kërkuan ndihmë mëngjesin e së hënës.