Kompania polake që merret me tregti armësh Metalexport-S ishte pas një dërgese prej 11.5 tonësh municionesh serbe në Bangladesh që po transportoheshin nga një avion transporti Antonov An-12 i epokës sovjetike, i cili u rrëzua në fillim të këtij muaji pranë qytetit grek të Kavalës, mundi të zbulojë BIRN.
Ndërmjetësi i marrëveshjes me përdoruesin përfundimtar të municioneve, Ministrinë e Mbrojtjes së Bangladeshit, ishte një kompani boshnjake, BA-METALEXPORT nga Sarajeva, e cila është në pronësi të firmës polake Metalexport-S.
“Kjo është e drejtë. Ne jemi 100 për qind në pronësi të firmës polake. Ata po bëjnë biznesin dhe ne jemi në krye të kësaj zone”, tha Alen Djuzel, drejtori i kompanisë boshnjake.
Djuzel mohoi gjithashtu spekulimet se armët duhej të shkonin në Ukrainë, të cilat u ngritën sepse operatori i avionit Antonov An-12 ishte Meridian, një linjë ajrore ukrainase mallrash.
“Një marrëveshje me Bangladeshin u nënshkrua në vitin 2021, para se të fillonte lufta në Ukrainë,” tha Djuzel.
Zinxhiri i kompanive të përfshira në marrëveshje është edhe më i gjatë. Fabrika shtetërore serbe e armëve Krusik prodhoi municionet, ndërsa kompania private serbe Valir, e cila ishte përgjegjëse për ngarkesën, mori licencën serbe të eksportit në Bangladesh në emër të kompanisë boshnjake.
I pyetur se pse BA-METALEXPORT përdor Valir dhe nuk u mor drejtpërdrejt me Krusik, Djuzel tha se kjo nuk ishte e mundur dhe se duhej përdorur një ndërmjetës.
“Ministria e Mbrojtjes e Bangladeshit është blerësi ynë. Ne nuk mund të blinim direkt nga fabrika, pasi ata kanë ndërmjetësit. Valiri ishte ndërmjetës. Ata na ofruan atë që na duhej”, tha ai.
Avioni Antonov mbante predha stërvitore me mortaja M62 60 mm, mortaja M62 82 mm dhe mortaja M67 82 mm të prodhuara nga Krusik. Autoritetet greke po hetojnë ende aksidentin e 17 korrikut, ku humbën jetën tetë anëtarë të ekuipazhit.
Spekulimet fillestare se Serbia po eksportonte armët në Ukrainë u mohuan menjëherë pas rrëzimit nga ministri i mbrojtjes Nebojsha Stefanoviç, i cili tha se e vetmja lidhje me Ukrainën ishte fakti se një kompani ukrainase, Meridian, ishte pronari i avionit që po transportonte ngarkesën e prodhuar në serbi.
“Klienti ishte Ministria e Mbrojtjes e Bangladeshit, si një përdorues përfundimtar plotësisht i autorizuar. Ky fluturim kishte të gjitha lejet e duhura dhe gjithçka ishte në përputhje me rregulloret ndërkombëtare”, tha Stefanoviç për mediat më 17 korrik.
Ministria e Tregtisë e Serbisë publikoi një licencë eksporti, edhe pse ishte etiketuar si konfidenciale, për të treguar se nuk kishte shkelje.
BIRN siguroi certifikatën e përdoruesit përfundimtar të nënshkruar më 23 shtator 2021, e cila tregon se Forcat e Armatosura të Bangladeshit ishin blerësit e mallrave. Dokumenti u nënshkrua në emër të Bangladeshit nga Waker Uz Zaman, gjeneral-lejtnant i Divizionit të Forcave të Armatosura. Kontrata fillestare është nënshkruar më 29 qershor 2021.
Kompania serbe Valir i pagoi fabrikës shtetërore Krusik një total prej 602,790 dollarësh për municionet.
I pyetur se si ia vlente transportimi i kësaj sasie relativisht të vogël armësh me avion, drejtori i kompanisë boshnjake BA-METALEXPORT tha se ishte e nevojshme të respektohej afati i rënë dakord me Bangladeshin.
“Problemet me transportin në botë janë të mëdha. Një kontejner i dërguar me anije është 150 mijë euro, ndaj nuk mund ta bënim këtë. Pala nga Bangladeshi ra dakord të dërgonim dy dërgesa me avion”, tha Djuzel.
Avioni Antonov që u rrëzua ishte një avion 50-vjeçar. Prodhimi i avionëve të epokës sovjetike ndaloi në 1973, por ato ende përdoren nga operatorët e ngarkesave në vende të ndryshme.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil grek, pasi hyri në hapësirën ajrore greke, piloti i Antonov informoi kontrollorët e trafikut ajror se kishte rënë zjarr në një nga motorët e avionit.
Piloti kërkoi një ulje emergjente në Kavallë, leje që iu dha, por pak më pas radarët e trafikut ajror humbën avionin.
Discussion about this post