Ankthi po rritet për dhjetëra personat që ndodheshin në bordin e avionit që u rrëzua në ujërat e akullta të lumit Potomac mbrëmjen e së mërkurës, pasi u përplas me një helikopter të Forcave Ajrore të Ushtrisë, teksa ishte në fazën e fundit të uljes në Aeroportin Kombëtar Ronald Reagan në kryeqytetin amerikan.
Shefi i shërbimeve mjekësore të urgjencës të Uashington DC, John Donnelly, konfirmoi se ekipet po kalojnë nga një mision shpëtimi në një operacion për gjetjen e trupave të pajetë.
“Ne nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar nga ky aksident”, shtoi ai.
Më shumë se 30 trupa raportohet se janë nxjerrë nga lumi, raportoi Reuters.
Ndërkohë senatori Roger Marshall, i cili përfaqëson Kansasin, nga ku ishte nisur avioni i pasagjerëve, gjithashtu la të kuptohet se të gjithë personat në bord kanë të vdekur, duke vënë në dukje gjatë një konference për shtyp se është “shumë e vështirë të humbësh” 60 qytetarë në të njëjtën kohë”.
Gazeta Washington Post raportoi se ekipet e shpëtimit deklaruan se asnjë person i mbijetuar nuk është gjetur në lumë gjatë kërkimeve.
Hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar se çfarë ndodhi dhe si një avion pasagjerësh dhe një helikopter u përplasën pranë aeroportit të Uashington DC.