Mes qindra-mijërave protestuesve që u mblodhën sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, i pranishëm ishte edhe Avokati i Popullit Igli Totozani i cili kishte si detyrë të monitoronte mbarëvajtjen e protestës.
Totozani shoqërohej nga një grup ekspertësh të Seksionit të Deontologjisë e Sigurisë dhe atyre të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës.
Pas përfundimit të protestës, Totozani shprehu vlerësimin e tij për sjelljen e qytetarëve dhe e cilësoi atë një protestë krejtësisht paqësore.
“Vlerësoj sjelljen paqësore të qytetarëve. Deri tani kjo protestë ka qenë tërësisht paqësore dhe pa probleme. Detyra jonë është që të monitorojmë sjelljen e institucioneve shtetërore dhe Policisë së Shtetit në protesta. Dhe për këtë rast më lejoni të shpreh vlerësimin edhe për institucionet shtetërore si dhe Policinë e Shtetit që menaxhuan situatën në mënyrë tërësisht profesionale.”, tha Totozani sot për gazetarët.
Mirëpo ditë para protestës, nëpër media qarkullonin informacione se kjo protestë e opozitës kishte indicia për dhunë. Një gjë e tillë u raportua fillimisht nga zyrtarë të policisë ndërsa shqetësimin për një ngjarje të tillë e shprehën edhe disa nga ambasadat më të rëndësishme perëndimore në vend. Mirëpo opozita u vërtetoi atyre sot se e kishin gabim dhe ata nuk dolën as sot nga linja e tyre paqësore. (D.D/Shuplaka)