Avokati i Popullit zhvilloi sot një mbledhje në kuadër të punës për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në këtë mbledhje morën pjesë katër anëtarë nga pesë që ka gjithsej Komisioni dhe mungoi kryetari i KED, Artan Zeneli.
“Jam i gëzuar që tu jap një lajm të mirë. Nga pesë anëtarë ishin të pranishëm katër anëtarë të Komisionit, kryetari, përfaqësuesi nga Akademia e Shkencave dhe dy përfaqësues nga avokatia. U morën disa vendime të rëndësishme në këtë mbledhje të parë.
Së pari, vendosëm bashkarisht që komisioni ad-hoc të quhet i konstituar. Puna filloi.
Së dyti, vendosëm bashkarisht të miratojmë një rregullore të posaçme mbi mënyrën si do punojë ky Komision dhe si do të trajtohen, shqyrtohen, kandidaturat e ardhura nga rradhët e avokatisë qoftë për KLGJ, qoftë për KLP si dhe mënyra e votimit të tyre.
I kemi dërguar kërkesë për informacion në lidhje me formularët e dekriminalizimit Prokurorisë së Përgjithshme për të gjithë kandidaturat e ardhura, gjithashtu i kemi kërkuar Autoritetit të Dosjeve të na sjellë informacion për të gjithë kandidaturat që janë paraqitur pranë komisionit. Së treti, Komisioni vendosi që sëbashku ti kërkojmë mendim disa institucioneve shtetërore mbi kandidaturat. Do ti kërkojmë mendim KLSH, ILDKPI dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Parave.”, deklaroi avokati i Popullit Totozani.
Më tej Totozani shton se në mbledhjen e ardhshme do të nisë edhe verifikimi dhe shqyrtimi i dosjeve për secilin kandidat.
“Në mbledhjen e ardhshme do të fillojë menjëherë shqyrtimi i dosjeve përkatëse të të gjithë kandidatëve që janë paraqitur qoftë për KLGJ apo KLP. Mendoj se në mbledhjen e ardhshme do kemi një listë të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të vazhduar më tej verifikimin e institucionit.”, shtoi Totozani.
Deri më taani kanë mbetur pa plotësuar 10 vende jashtë sistemit të drejtësisë në strukutrat e KLGJ dhe KLP. (D.D/Shuplaka)