Avokati Kujtim Cakrani, në një intervistë për televizionin Fax News, ka hedhur dritë mbi zhvillimet më të fundit lidhur me çështjen e Ilir Metës, duke deklaruar se ish-Presidenti ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) prej më shumë se 6 vitesh.
“Ilir Meta ka 6 vite që është në hetim nga SPAK. Nuk është një hetim i ri apo i papritur. Institucionet e drejtësisë e kanë ndjekur këtë çështje me kohë,” – deklaroi Cakrani, duke nënvizuar se zhvillimet e fundit janë rezultat i një procesi të gjatë.
Avokati gjithashtu bëri të ditur se nesër pritet të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Metës, ku do të shqyrtohen akuzat e ngritura ndaj tij. Gjyqi vjen pas intensifikimit të hetimeve dhe pritet të jetë një moment kyç për fatin ligjor dhe politik të kreut të Partisë së Lirisë.
Zhvillimet rreth këtij procesi kanë tërhequr vëmendjen e gjerë publike dhe pritet që seanca e nesërme të shoqërohet me interes të lartë mediatik.