Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka reaguar në lidhje me vetëvrasjen e gruas 41-vjeçare nga Sukthi si pasojë e fyerjes dhe denigrimit në rrjetin social TikTok. Ballanca shprehet se ky është një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Ajo thotë se refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se sipërfaqësor.
Ballanca bën thirrje në emër të zyrës së Avokatit të Popullit të gjithë komunitetit të platformave sociale për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqet kujdes për mirëqënien emocionale të të gjithë qytetarëve.
Reagimi i Avokates së Popullit, Erinda Ballanca:
Ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së një gruaje në Shqipëri, si pasojë e fyerjes dhe denigrimit personal në një platformë sociale, ishte thellësisht tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Pranimi i një realiteti ku të gjithë kemi ndjeshmëri dhe vulnerabilitet është thelbi i një komuniteti të shëndetshëm, e kundërta është bullizëm!
Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës.
Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandarë e jetës tonë, duhet të mbajmë në vëmendje thelbin e humanizmit dhe respektit reciprok. Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!
“Mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë; duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet tona në përditshmëri.
Avokati i Popullit bën një thirrje të dedikur për të gjithë komunitetin e platformave të mediave sociale, për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqi kujdes për mirëqenien emocionale të të gjithë qytetarëve.