Kryegjyshi Botëror i Bektashive, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se, “bektashizmi është një faktori i ri për harmoninë mes komunitetin tona por edhe mes komuniteteve të tjera në botë”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë përkujtimore të 95- vjetorit të njohjes së Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri, që u zhvillua sot në Tiranë, Baba Mondi tha se, “kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme, të reformës së kulteve të nisur në Shqipëri nga qeveria mbretërore në 1929, vit ku në Shqipëri u kryen tre kongrese fetare, ai Ortodoks; ai Musliman dhe ai i Bektashinjve”.
“Një reformë e tillë për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, nuk ishte rastësi. Shoqëria shqiptare e njeh mirë bektashizmin rrugën e besimit bektashian me virtyte dhe vlera për njerëzimin”, tha ai.
Ne përkujtojmë këtë përvjetor, vijoi ai, me dy shenja të mbara të nisjes së këtij viti, nga njëra ana takimi ynë historik me Papa Françeskun, nga ana tjetër fillimin e detyrës së Trump, i cili vendosi fokusin te paqja.
Baba Mondi tha se, “për komunitetin tonë mesazhe të tilla i konsiderojmë mesazhe të shenjta të dërgimit nga zoti dhe shpresojmë një vit i filluar me këto shenja të jetë vit i përmbushjes së domosdoshmërisë për stabilizimin e Statutit juridik të Urdhrit Bektashian. Stabilizimi i mundshëm i një Urdhri Bektashian, do kujtohej prej nesh jo vetëm si dëshmi, por edhe faktori i ri për harmoninë mes komunitetin tonë dhe komuniteteve të tjera në botë”.