Pas lertës së hapur të Eda Zhitit, nënës së Atjon Zhitit që humbi jetën në aksidentin e dy viteve më parë, ka ardhur përgjigjja edhe nga familja e djalit, të cilin ajo e quan fajtor të kësaj ngjarjeje.
Babai i Serxho Martinianit, 21-vjeçarit që tashmë lëviz mbi një karrige me rrota, pasi i mbijetoi aksidentit, në një intervistë për një të përditshme e justifikon deri diku ato që vetë i quan fyerje nga ana e familjes Zhiti.
Ai i konsideron fyerje të gjitha ato që janë thënë në media nga nëna e shokut të djalit të tij. Fakti që djali i tij nuk i ka takuar prindërit e Atjtonit, sipas Leonard Martinianit ka të bëjë vetëm me pamundësinë e tij për të lëvizur.
Ndërsa sa i përket videos që nëna e Atjonit kërkon nga familja e tij, babai i Serxhos shprehet se ato janë kujtime që i biri i ndan me miqtë e tij.
“Nuk e di ku e shohin veten prindërit e Atjonit, te miqtë, apo tek armiqtë e Serxhos”, shprehet Leonard Martiniani.
Gjatë intervistës ai hedh akuza dhe pretendon se provat e ngjarjes janë manipuluar, ndërsa eksperti që është paraqitur në gjyq është i palicencuar.
Pjesë nga intervista:
Zoti Leonard, prej disa ditësh, por edhe dje, është botuar në media një letër e nënës së Atjon Zhitit, i cili humbi jetën në aksidentin e dy viteve më parë, ku mbeti i plagosur djali juaj. Si është perceptuar nga ju përmbajtja e asaj letre?
Im bir ka qenë shok me Atjonin. Dhe çfarë vlerësimi ka pasur ai për shokun e vet, i ka thënë në një emision që ka qenë i ftuar. Vlerësimet e djalit tim për shokun e vet i keni dëgjuar edhe vetë, ai flet me superlativa për të. Shumë pozitiv, shumë djalë i mirë. Shkrimi që ju thoni ka goxha fyerje, a ku di unë se si ta quaj. Ne gjithmonë e kemi vlerësuar se ata, pra familja Zhiti, vërtet ka pasur një dhimbje të madhe dhe mendoj se dhimbja ua ka errësuar gjykimin. Dhe po i bën që të nxjerrin gjëra që nuk janë të sakta. Fyerje për Serxhon vetë, për të ëmën, për mua.
Në lidhje me aksidentin, Serxho tha se nuk mbante mend asgjë dhe realisht edhe kështu mund të jetë, sepse në ngjarje të tilla ka raste që edhe nuk i kujton dot detajet. Çfarë mban mend djali juaj nga ai aksident?
Jo kështu mund të jetë. Është 100 për qind kështu. Djali nuk mban mend asgjë. Flasim me prova, jo me spekulime. Edhe ato çfarë ka thënë në intervistën e tij, i ka fjalë që ia kanë treguar shokët, me të cilët ai ka qenë atë natë.
Jeni takuar me familjen Zhiti pas aksidentit?
Familjarët e Atjonit na kanë ardhur, ashtu siç edhe ne u kemi shkuar për ngushëllim të nesërmen e ditës së aksidentit. Edhe ata kanë ardhur 2-3 ditë më mbrapa në spital. Por me sa pamë, jo sepse ishin shqetësuar për shëndetin e shokut të djalit të tyre. Donin të siguroheshin se edhe Serxho do të ikte nga kjo botë.
I thoshin infermieres: “Çfarë, i keni bërë ndonjë qetësues këtij për të më bërë qejfin mua?” Ndërkohë që djali ishte në koma dhe kjo është provë tashmë. Është me foto, me video, si u katandis dhe u bë gjysmë njeriu. Është thyer nga koka deri te këmbët, gjithçka.
Që nga gishti i këmbës, kofsha, mushkëritë, kolona, krahu, koka, gjithçka. Puna e parë sapo shkoi në Gjermani ka qenë operacioni në kokë. Sigurisht që ishte një aksident që askush nuk e donte.
Një aksident që mund të ishte fatal edhe për djalin tim. Historia ka treguar, ka pasur raste të tjera tani vonë, të dhimbshme, po me motor, raste të ngjashme, që nuk ka shpëtuar dot asnjëri. Ishte fati i tij.
A i kanë pasur pajisjet e nevojshme për lëvizjen me motor?
Kanë qenë të pajisur me skafandra, të dy. Si rrallëherë, pasagjeri me skafandër, ju i shihni vetë çdo ditë se si lëvizin. Djali ka qenë i pajisur me patentë. Motori ka pasur të gjithë dokumentacionin e rregullt. Gjithçka ishte e rregullt dhe e ligjshme. Asgjë e paligjshme.
Shumë e rëndësishme është se nuk kishin konsumuar alkool. Për çfarë e akuzojnë djalin tim? E vetmja arsye që gjetën për ta bërë fajtor ishte se u tha një fjalë që ka qenë shpejt dhe dolën në përfundimin se ishte fajtor Serxho.
Por kjo duhet provuar. Duhet ta vërtetojnë me prova nëse ka qenë kështu, apo jo. Kemi bërë kaq e kaq seanca gjyqësore dhe këtu e dinë të gjithë se sa e vështirë është të provohet diçka.
A është marrë një vendim nga Gjykata momentalisht?
Po, Gjykata e Shkallës së Parë e ka marrë vendimin. Ka marrë vendim duke e shpallur fajtor dhe e kanë dënuar me 3 vjet heqje lirie.
Me çfarë argumentesh?
Argumenti për ata është që është Serxho faktori determinant pse ka ndodhur aksidenti. Kemi luftuar, jemi përpjekur shumë në gjyq. Kemi shumë pretendime.
Kemi kërkuar disa herë përjashtimin e trupit gjykues, kemi bërë ankimim në Prokurorinë e Rrethit, në Prokurorinë e Përgjithshme, në KLD, në Ministrinë e Drejtësisë, në çdo instancë të mundshme ku mund të drejtohesh sot. Janë gardh, nuk çahen në asnjë mënyrë, e mbrojnë njëri-tjetrin deri në fund.
Keni marrë ndonjë përgjigje?
Askush nuk kthen përgjigje. Kanë kaluar muaj të tërë dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ka kaluar çdo lloj afati ligjor dhe nuk kthejnë përgjigje.
Cilat kanë qenë pretendimet tuaja në gjyq?
Kemi pasur pretendime shumë për çështjen e ekspertizës. Duke nisur që nga “eksperti”, po e them në thonjëza se e ka pranuar me gojën e vet kur ka ardhur në gjyq dhe ka thënë që nuk ishte ekspert.
“Shteti shqiptar nuk më njeh për ekspert sepse ma kanë hequr licencën që në vitin 2008”, kështu është shprehur eksperti tekstualisht në gjyq. Megjithatë, ky person që Prokuroria e ka sjellë për ekspert, ka bërë falsifikim të provave të vendit të ngjarjes. Nëse Serxho ishte vërtet me 160 km/h, sikurse ai pretendon, pse duhej t’i falsifikonte? I kam këtu provat, mund t’i shikoni.
Janë në dosjen hetimore. I ka parë edhe Gjykata, i ka parë edhe ky vetë, askush nuk i mohon, megjithatë në fund fare ngrenë dorën dhe thonë që me shumicë votash ankimi nuk pranohet dhe vazhdojmë më tutje.
Si është bërë ky falsifikim?
Të gjitha janë në dosje. Është e dukshme se si është falsifikuar skema e vendit të ngjarjes. Nga 21.5 metra që ka rënë drejtuesi i mjetit nga betoni me të cilin është përplasur, e kanë manipuluar skemën e vendit të ngjarjes dhe e kanë çuar 34 metra. Për fatin e mirë dhe për gabimin e atyre, të dyja skemat, edhe e falsifikuara edhe ajo origjinale e bërë në vendin e ngjarjes janë në fashikullin hetimor. Nuk e fsheh dhe nuk e zhduk dot askush.
Është provë e pakundërshtueshme. Nëse ishte 160, pse atëherë duhej ta falsifikonte? E pyetëm ekspertin në sallën e gjyqit dhe i thamë: “Dakord, ti pretendon se është 160. Sikur të ishte 160, siç thua ti dhe sinjalistika rrugore të mos ishte kështu siç është në të vërtetë, vetëm 27 metra nga blloku i betonit, por të ishte 684 metra, sikurse e parashikon ligji, a do të ndodhte aksidenti?”.
Përgjigjja e tij fjalë për fjalë, e keni këtu edhe me audio siç është thënë në gjyq, ishte: “Në qoftë se sinjalistika do të ishte siç e parashikon ligji, edhe po të ishte me 160 km/h, drejtuesi i mjetit do të kishte të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të manovruar. Pra aksidenti nuk do ndodhte.
”Atëherë i thamë që të marrim rastin tjetër, në rast se mjeti do ishte duke ecur me 90 km/h, sikurse e parashikonte ligji, megjithëse ka qenë një tabelë për shpejtësinë e lejuar 20 km/h, por që ishte e vendosur vetëm 2 metra larg bllokut të betonit.
Është në fotografitë e vendit të ngjarjes. Pra deri kur shkon te blloku i betonit, cilido që kalonte në atë rrugë e dinte që në atë rrugë ecej me 90 km/ h. Me këtë shpejtësi, duke e llogaritur matematikisht, jo pse e donte ai eksperti që kishte ardhur me dosje në dorë dhe e nxirrte 100 për qind fajtor Serxhon, pra shkencërisht, duke marrë parasysh momentin e perceptimit, sa larg mund të shohësh me drita të shkurtra, është vetëm 40 metra distanca që mund të shohësh. Perceptimi është nga 1.1 deri në 1.5 sekonda.
Për 1.5 sekonda i ke bërë ato 40 metra dhe kur të prekësh frenat, i ke rënë betonit me kokë. Pra ai u detyrua ta pranonte në sallën e gjyqit: “Po, edhe me 90 km/h aksidenti do të ishte i pashmangshëm me kaq tabela sa ka”. Atëherë nëse aksidenti ishte i pashmangshëm, pse qenka fajtor Serxho Martiniani?
Pra, pranohet se mungesa e sinjalistikës ka qenë shkak i aksidentit?
Po, edhe blloku i betonit ka qenë një faktor fatal në aksident. Është totalisht e ndaluar me ligj. Duhej të ishte bllok plastik, nga këta që mbushen me ujë, ose me rërë. Në fakt ishte bllok betoni. Është provë aty në vendngjarje, nuk e mohon dot askush. Atëherë, pse është fajtor Serxho Martiniani? Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe gjithë këto falsifikime që kanë bërë, në fund fare u ndalëm te llogaritjet.
I thamë ekspertit se ku ishte mbështetur që ke bërë këtë mënyrë llogaritjeje. Sepse çdo ekspert i mundshëm, kur bën një ekspertizë të tillë, i referohet ose eksperimentit që bëhet në terren, ose një studimi që ka bërë dikush tjetër. Eksperti ngrinte supet dhe bënte të paditurin.
“Nuk e di”, thotë. E me të gjitha këto, trupi gjykues vendosi që, edhe pse ky ekspert nuk kishte licencë, do të mbahej për të dhënë opinionin e vet si ekspert, me argumentimin se po merrej për njohuri të posaçme, sepse ky ka botuar një libër. Në rregull, po e marrim të mirëqenë që paska botuar një libër.
Në fakt, jo libër, por ka mbledhur disa materiale studimore në internet dhe i ka përmbledhur e publikuar në një libër. Është krejtësisht e padrejtë edhe në këtë rast, sepse në Kodin e Procedurës Penale, në Nenin 180, përcaktohet qartë që cilido ekspert që i është hequr licenca, qoftë edhe për një periudhë të përkohshme, nuk ka të drejtë të përfaqësohet më si ekspert.
Është faji i Ministrisë së Transporteve që ne kemi ngelur pa ekspertë. Ashtu siç mori masën të nxirrte të paligjshëm të gjithë këta ekspertë që ishin, pasi ishin të paaftë, ashtu duhej të merrte masa, të krijonte një paketë ligjore, që ta pajiste shtetin me ekspertë e nevojshëm dhe të saktë për këtë punë. Megjithatë, sërish detyra është e shtetit. Le ta marrë diku tjetër ekspertin. Nuk mund të dënojë dikë, ta fusë në burg me një pseudoekspert.
Në fakt Gjykata e ka pranuar ekspertizën e tij?
Përtej këtyre. Ta marrim të mirëqenë atë që ai thotë. Ky eksperti në librin e vet, se për atë libër ka ardhur këtu, ky librin shtrëngon, nuk ka eksperimente, atëherë përse nuk përdor ky zotëria atë libër për të bërë ekspertizën e aksidentit?
Në librin e vet, ka një rast identik, ku i referohet një autori dhe e shpreh ashtu siç duhet atje, “Sipas autorit filan, në një filan rast është kështu, kështu…”, identik me rastin e përplasjes që ka ndodhur këtu.
Pasi e shtjellon të gjithë rastin, me të gjitha formulat e duhura, në fund fare thotë: “Konkluzion, ky eksperiment është shumë i saktë, prandaj duhet përdorur”. Pse nuk e përdori ky zotëria këtë eksperiment?
Por vjen në gjyq dhe ngre supet duke thënë që nuk e di. Përdor disa formula krejt të palogjikshme, që nuk qëndrojnë. Edhe një nxënës i klasës së tetë e kupton që është gabim. Sepse nuk është lëvizje e njëtrajtshme por është lëvizje e nxituar.
E merr “0” koeficientin e fërkimit, e merr “0” këndin e fluturimit, sepse kështu i vjen për mbarë atij. Në rast se do të zbatonte të njëjtën formulë, ashtu si në libër, jam i sigurt që shpejtësia do të dilte diku te 60 km/h, deri në momentin e përplasjes me bllokun e betonit. Kurse me formulat që shpik eksperti, e nxjerr shpejtësinë 160.
Po kthehem edhe një herë te letra e nënës së Atjon Zhitit. Aty ajo kërkon edhe një video të fundit, për të cilën thotë se ju e dispononi dhe pretendon se nuk ia keni dhënë. A ekziston kjo video dhe përse nuk ia jepni?
Normal që ka kujtime. Ka kujtime të asaj nate dhe më përpara. Por ashtu si kushdo tjetër, edhe Serxho do donte t’i ndante kujtimet e veta me miqtë e vet. Nuk e di ku e shohin veten prindërit e Atjonit, te miqtë, apo tek armiqtë e Serxhos.
Duke parë se çfarë po bëjnë, nuk lënë ditë pa shkruar letra në Prokurori e Gjykatë, ku kërkojnë dënimin maksimal të Serxhos. Shfrytëzojnë pushtetin që kanë në media duke e etiketuar “njeri rrugësh”, “gjarpër”, “djall” etj, ndërkohë që ishte student dhe megjithë vështirësitë e shumta vazhdon përsëri studimet në degën informatikë-biznes. A mund të jenë këta miqtë e Serxhos? (A.R/SHUPLAKA)