Akademiku Apollon Baçe, i ftuar në studion e Fax News për reformën në Akademinë e Shkencave ka folur për zhvillimet e fundit në këtë institucion, për dy komisionet e ngritura për reformën dhe për debatin e akademikëve me kryeministrin Rama për financimin.
Në lidhje me reformën, Baçe u shpreh se:
“Më keq se një reformë e keqe është një reformë e lënë përgjysmë.
Janë dy komisione që po punojnë në Akademinë e Shkencave. Njëri është komisioni ad hoc i krijuar nga Ministria për legjislacionin. Luan Omari e drejton këtë, si dhe komisioni i dytë që është zgjedhur nga asambleja që merret me Statutin dhe aktet implementuese.
Akademia e Shkencave është një institucion autonom që ngrihet dhe ç’bëhet vetëm nga parlamenti.”
Baçe foli për gjendjen e kërkimit shkencor shqiptar me rezerva të mëdha.
“Më përpara institutet e Akademisë së Shkencave bënin hidrocentralet, bënin konsultat për mizën e ullirit, për pataten, për lëvizjen sizmike. Sot këto institute janë të këputur nga akademia, disa mbijetojnë, disa janë zhdukur plotësisht. Është tepër e vështirë në një vend që nuk ka prodhim, të kesh institute që studiojnë prodhimin.
Ne po punojmë që në asnjë mënryë të mos cënohet autonomia e Akademisë së Shkencave. Qeveria është ajo që jep fondet e që cakton pak a shumë edhe linjën e përgjithshme por jo të jetë plotësisht në tutelë.”
Në vijim të reformës thelbësore për natyrën e Akademisë së Shkencave, Baçe u shpreh:
“Ka dy mënyra, Akademi me institute dhe Akademi pa institute. Dje takuam presidenten e Akademisë së Çekisë e cila punon me institute dhe ka gjithsej 16 mijë kërkues shkencorë. Ajo tha që ky diskutim i pasjes së Akademisë është i kotë sepse nuk ka vend në Evropë që të mos ketë Akademi.
Por edhe akademia më minimale si ajo e Suedisë, për shembull, i ka minimalisht dy institute.
Sipas sistemit Humboldian, puna kërkimore nuk bëhet në akademi por bëhet në institute
Nga Ministria u nis një reformë. U hoqën institutet, iu kaluan universiteteve dhe universitetet vdiqën. Është e kotë që të mendohet se mund të bëhet puna kërkimore nëpër laboratore në universitete.
Me sa po kuptoj unë, tek ne po kërkohet që të jetë modeli i akademisë pa institute.
Në atë draftin që patën bërë unë pashë se ishte një model i ndërmjetëm në të cilin ministria tenton që të krijojë si dikur atë që quhet Komiteti i Shkencave. E cila të ketë institucionet shkencore, të drejtohet nga burokratë tepër të pregatitur, pra të rinj që kanë dalë nga shkolla jo me ndonjë përvojë akademike. Atëhere mendimi im ishte që të vendosej Akademia pranë institutit të shkencave dhe të ishte një këshillë kordinues mes të dyjave ku lekët e projektet t’i kishte instituti ndërsa oponencën t’ia bënte akademia.
Ky është një model Harri Poteri që u nis nga platforma 4 e gjysmë.”
Në lidhje me punën kërkimore dhe pjesëmarrjen në jetën publike të akademikëve, Apollon Baçe tha:
“Nuk është punë thjesht se akademikët shkruajnë vetëm libra. Akademia duhet të ketë rolin e një think-tanku, pra pyetet dhe përgjigjet. Kjo është një gjë që ka çaluar nga të dyja anët, qoftë nga qeveria që nuk e ka marrë parasysh qoftë edhe nga vetë Akademia që nuk është treguar aktive. Akademia duhet të pyetej për paktin detar me Greqinë, qoftë edhe nga ana etike.”
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post