Gjatë takimit të sotëm në qytetin e Elbasanit, deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili kryeson edhe qarkun e këtij qyteti në PS, ka deklaruar prerazi që zgjedhjet nuk shtyhen përtej 18 qershorit.
“S’kam gjetur një njeri që të thotë nuk e duam reformën në drejtësi. Përkundrazi, socialistë e demokratë na kanë thënë miratojeni… Betohen e stërbetohen se nuk do ketë zgjedhje. Zgjedhje në 18 qershor ka. Populli shqiptar e ka këtë të drejtë dhe nuk ka parti politike dhe nuk ka Lule e Sali që mund t’i heqë të drejtën popullit.”, deklaroi Balla.
Ndër të tjera, deputeti socialist nuk hezitoi që të sulmonte çadrën e opozitës, duke thënë se ata që qëndrojnë atje që prej 18 shkurtit, nuk i lidh asgjë me hallet e Elbasanit.
“Ata të çadrës nuk i lidh asgjë me hallet që ka sot Elbasani. Ne të dashura motra dhe nëna përulemi para jush. Sigurisht ne donim të bënim më shumë për punësimin, por duhet të dini se ka vetëm një parti që mendon për motrat dhe nënat. Nënat duan shtet, mirëqenie. E për PS kjo është një nga binarët kryesorë të punës sonë”, ishin fjalët e Ballës. (D.D/Shuplaka)