Nga Panajot Barka
Java që lamë pas shënjoi ballafaqimin e paprecedentë në këto 26 vjet tranzicioni, atë midis Kryeprokurorit A. Llalla dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë D. Lu. Pesha e këtij ballafaqimi është e tillë, saqë sfumoi shkarkimin e beftë të ministrit Manjani dhe deklaratat e tij të bujshme kundër qeverisjes në vend, mbledhjen e KSK të Shqipërisë me objekt rrezikimin e shtetit nga krimi i organizuar etj. Njëkohësisht këtë ngjarje nuk arriti ta sfumojë as vdekja e Driteroit.
Kohët e fundit ishim ambjentuar me serinë e ballafaqimeve, përplasjeve dhe konflikteve:- në radhet e krimit të organizuar e të korrupsionit, në drejtësi, në media, në koalicionin qeverisës, midis pozitës dhe opozitës etj. Të gjitha këto përplasje kanë si shkak prekjen e interesave të palëve, veprimi i të cilave është në shkelje dhe në abuzim të ligjit, apo të parimeve demokratike. Por, ato kishin edhe “meritën” e mbylljes së shpejt të tyre në emër të ruajtjes së ekuilibrave që u sigurojnë ruajtjen e interesave të tyre okulte. Ndërkohë kurrë nuk kanë arritur, (kjo është e pamundur për ta) të eliminojnë shkakun e vërtetë të përplasjes.
Ballafaqimi i tanishëm ka ngjashmëri dhe dallime me të mëparshmit. Edhe ky ka kohë që ziente brenda strukturave me peshë në funksionimin e shtetit dhe të politikës si edhe në marrëdhëniet e tyre me aktorët ndërkombëtarë. Dallimi qëndron tek fakti se personazhet që u përfshinë në ballafaqim prekin struktura të një rëndësie të veçantë, siç është Ambasadori Amerikan dhe Kryeprokurori i vendit. Pra, në këtë rast kemi të paktën një diplomat me shumë peshë, i cili u kthye nga faktor në aktor të përplasjeve. Pikërisht për këtë shkak ballafaqimi nuk pritej të dilte në publik. Megjithatë, faktet në publik vërtetuan se aktorët e këtij ballafaqimi të ri veprojnë në marrëdhënie me të njëjtë faktorë kundër të cilëve deklarojnë se janë angazhuar në emër të Reformës për Drejtësi.
Në këtë pikëpamje reagimi i Kryeprokurorit Llalla deklasifikoi në fakt asimetrinë e pozicionit të ambasadorit amerikan në Shqipëri. Pavarësisht saksionimeve të fundit kushtetuese, reagimi i Llalës tregon se kemi të bëjmë me një tejkalim të rolit të tij nga ai diplomatik në atë të një primati të mirëfilltë shtetëror, ose me keq, në mbrojtës të interesave që dëmtojnë vendin, apo të dosjeve penale që paraqesin interes për të. Problemi bëhet më serioz pasi ky rol, dhe jo vetëm i ambasadorit amerikan, u njehsua me formulën e nevojës për implementimin e Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera, të cilat në mënyrë të qenësishme lidhen me shpëtimin e shtetit nga rrënimi fatal i tij dhe imponohet nga realiteti se strukturat e vetë shtetit nuk kanë një apo disa shtylla dhe pika referimi ku të mund të mbështesin vetkurimin.
Pavarësisht se Reforma në Drejtësi u deklarua si premtim i një aleati strategjik ndaj popullit shqiptar, rezulton (nga deklaratat publike të Kryeprokurorit) se përfaqësuesi i këtij aleati në këtë mision të deklaruar, ose ka njolla të errëta që nuk lidhen me drejtësinë e premtuar, ose është i detyruar të mbështetet në segmentë të penalizuar për të luftuar elementë të tjerë mëkatarë, ose të mbështetet në një krah politik, i cili akuzohet nga pala tjetër se nëpërmjet kësaj reforme kërkon të kapë sistemin e drejtësisë, të kapur deri tani nga vetë ajo, ose akuzohet se reforma e shpallur dhe e përkrahur nga perëndimorët do të përdoret për të eliminuar kundërshtarët politikë brenda apo jashtë palës ku mbështetet ambasadori amerikan.
Nëse vërtetohen akuzat e Llallës ndaj ambasadorit amerikan, atëherë procesi i Reformës në Drejtësi do të rezultojë i kompromentuar. Ndërkohë, Prokurori i përgjithshëm, i cili është edhe vetë një mëkatar me grada, siguroi përkrahjen e eksponenteve të lartë të shtetit ndaj akuzave të ambasadorit amerikan. Një akt që në fakt provokoi evidentimin e kriminalizimit të faktorëve politikë në vend, por edhe të divergjencave të thella në koalicionet politike po për këtë shkak.
Kjo do të thotë se ballafaqimi i radhës nuk do të jetë i ashpër për shkak të antinomisë së rolit të ambasadorit amerikan, por për faktin se ai, si garant i një reforme simetrike dhe të drejtë drejtësie në vend, akuzohet se kontributi i tij mbështetet në logjikën e ekulibrave të vendosura nga faktorë thellësisht të kompromentuar nga krimi në vend.
Pra guximi i Llallës për të denoncuar ambasadorin Lu, nuk është se u aktivizua në mbrojtje të kushtetshmërisë për mos lejimin e tij të përzihet në punët e brendshme të shtetit. Por motivet lidhen me kërcënimin dhe rrezikimin e statukvos së palëve në raport me krimin. Prishja e heshtjes nga Llalla, do të thotë se dorashkat janë hedhur mbi tapet, se tanimë nuk ka kthim prapa, se potenciali i krimit ka rrënjë të thella dhe peshë të rëndë pushteti në punët e shtetit.
Kjo do të thotë se ky ballafaqim nuk pritet që të mbyllet si të tjerët, por me siguri do të sjellë zhvillime, të cilat për momentin nuk duken fort të parashikueshme. Reagimet e para po provojnë se nuk do të jenë aspak të lehta funksionimi i koalicionëve politike, se palët e kërcënuara do të unifikohen dhe rezistenca e tyre do të jetë sulmi për të provuar kompromentimin me krimin edhe të palës tjetër. Pra, jemi në kufinjtë ku Hidra e mitologjisë grumbullon energji për të reaguar me mënyrën e saj.
Konstatimin e bën më të prekshëm fakti se realiteti i krimit në formë ose jo të organizuar, si pjesë thelbësore e politikës në ushtrimin e pushtetit nga pozitat e qeverisjes ose të opozitës, ka fituar të drejtën e qytetarisë dhe brenda parlamentit. Në seancën plenare të së enjtës, deputeti i mazorancës E. Braçe, mori fjalën për t’i thënë ish-presidentit të Republikës dhe njëkohësisht ish-Kryeministrit Sali Berisha, se ai nuk legjitimohet të flasë për inkriminimin e shumicës së tanishme, për arsye se ai në kohën e tij e ushtronte pushtetin në emër dhe së bashku me krimin. Kjo do të thotë se Braçe pranon inkriminimin e shumicës së tij, por që Berisha nuk ka të drejtën morale ta denoncojë.
Nga ana tjetër, duhet kuptuar se krimi në të gjitha format e tij, si instrumenta konkrete apo si mentalitet, nuk është se ka kapur pushtetin politik apo ekzekutiv, por ka kriminalizuar dhe vetë mënyrën e funksionimit të shoqërisë dhe të opinionit publik. Krimi i organizuar pasi eliminoi në emër të qëllimeve të veta klasën e mesme në Shqipëri, forcoi pozitat e veta si klasa e lartë e politikës që zotëron gjithë ekonominë formale dhe informale dhe që ka marrë peng shtresën e ulët, e cila mbijetesën e vet e shikon tek thërrimet që do të teprojnë nga sofra e pasur e të pangishmëve të kësaj shtrese (fenomen i shtrirë deri tek influenca dhe blerja e votës). Ka paralizuar instrumentat dhe mekanizmat e veprimit të shoqërisë civile dhe ka shtënë në kontrollin e vet sistemin që garanton ndryshime dhe reforma në funksionimin e shtetit. Është kjo arsyeja se Reforma në Drejtësi mund të presë disa koka, por nuk do të mjaftojnë as si shembull për të tjerët, pasi ajo nuk ka mundësi të prekë sistemin që prodhon padrejtësi shtetërore dhe individuale. Dhe në këtë drejtim rasti Llalla pohon se garanti Lu e ka të vështirë të implementojë atë sistem drejtësie që vërtet i duhet popullit shqiptar. Ndoshta kjo një ditë mund të arrihet, por jo në mandatin Lu. Lu mund të jetë dhe viktimë e ardhjes së kësaj reforme.