Në Shqipëri, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha sot se Ballkani Perëndimor ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, duke ndërtuar tregje dhe politika të përbashkëta me Bashkimin Europian.
Ai i bëri këto komente në Forumin dyditor të Shoqërisë Civile, që po mbahet në Tiranë mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Ky Forum po zhvillohet një ditë para Takimit të Drejtuesve të Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën në kryeqytetin shqiptar.
Në Forumin e Shoqërisë Civile, që po mbahet në Tiranë, folësit kryesorë theksuan se mbizotërimi i ligjit është një parim themelor për integrimin në Bashkimin Europian, ndaj drejtuesit e Ballkanit perëndimor nevojitet të dëshmojnë angazhim dhe rezultate me reformat që kanë ndërmarrë.
Ata pohuan se plani i rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor është një mundësi për ta ndihmuar rajonin në ndërtimin e një tregu të vetëm, që do të mbështesë zhvillimin e këtyre vendeve paralelisht me rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian.
Ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha në Forumin e sotëm se roli dhe angazhimi i shoqërisë civile janë thelbësor për rritjen ekonomike, reformimin e institucioneve dhe hyrjen e rajonit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se lidhja midis njerëzve dhe ekonomive me rajonin dhe me BE-në është detyra parësore për të ardhmen e gjithësecilit, ndërsa mbizotërimi i demokracisë dhe i ligjit është jo vetëm një nevojë e brendshme, por edhe rajonale dhe ndërkombëtare.
“Duke çuar më përpara reformat e brendshme, ne po forcojmë rolin tonë si një partner konstruktiv në rajon, si dhe po japim një ndihmesë thelbësore në sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hasani.
Ai shtoi se rajoni ka ecur mirë në përpjekjet për ndërtimin e një tregu të vetëm rajonal, me marrëveshjet e stabilizim- asociimit, me besimin që kështu secili vend dhe të gjithë së bashku bëjmë një hap më shumë në procesin e integrimit europian.
Zoti Hasani tha se zbatimi i planit ekonomik dhe investues i Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, i bazuar në ndërtim tregjesh dhe investime integruese, po pasohet me një plan të rritjes ekonomike për rajonin, i cili do të nxitë niima të reja.
“Ne punojmë fort për marrëdhënie të mira fqinjësore, duke përshtatur sjelljet për t’i ndihmuar bashkëpunimit rajonal në pikëpamje diplomatike ashtu edhe ekonomike”, tha ministri Hasani.
Megjithatë në Forum u konstatua një përshtatje e ngadaltë ekonomike e rajonit me Bashkimin Europian, ku përfshihet integrimi i tregjeve, programe të investimit në infrastrukturë dhe fusha të tjera.
Ekspertët pohuan se rajoni nevojitet të hartojë plane strategjike afatgjata për t’u shërbyer politikave të njëjtësimit me Bashkimin Europian, bazuar edhe në në një mbështetje të re financiare.
Por jo të gjithë i mendojnë financimet si çështje kryesore. Drejtuesja e Qendrës për Gazetari Investigative në Malin e Zi, Milka Tadiç Mijoviç, thotë që vendi i saj dhe rajoni në tërësi kanë nevojë për ekspertë europianë, që të ndihmojnë konkretisht në arritjen e standarteve europiane dhe të studjojnë nga afër për çfarë ka nevojë rajoni dhe secili vend.
“Për fat të keq, ne kemi probleme të thella strukturore, probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe me mbizotërimin e ligjit, edhe pse rajoni ka shumë vite që po ecën në rrugën drejt BE-së”, tha zonja Mijoviç.
Ajo theksoi se BE duhet të investojë tek ekspertiza europiane, që ata të kuptojnë vet drejtpërdrejt se çfarë ndodh në rajon dhe për çfarë ka nevojë më shumë Ballkani perëndimor.
“Ne kurrë nuk e mbyllëm tranzicionin nga autokracia në demokraci, dhe ky është problemi kryesor i rajonit. Roli i BE-së në këtë tranzicion ka qenë themelor për rajonin. Por për shumë vite, BE investoi në disa raste në figura të gabuara që keqdrejtuan vendet e tyre në drejtime të gabuara. Jo vetëm BE-ja, por Perëndimi në tërësi. Ata mbështetën zotin Vuçiç për shumë vite, si dhe udhëheqës të tjerë të korruptuar në rajon, për shembull, zotin Gjukanoviç”, theksoi zonja Mijoviç, drejtues e Qendrës për Gazetari Investigative në Malin e Zi.
Në Forumin e Shoqërisë Civile të rajonit u diskutua për politikat e zgjerimit të BE-së, për luftën në kontinentin europian, sulmi rus kundër Ukrainës dhe sfidat e reja që ai solli në bashkëpunimin europian, sigurinë dhe besimin e ndërsjelltë midis vendeve të rajonit./ VOA